Ndërlidhjet

Liderët kosovarë shumë takime me udhëheqës botërorë


“Sapo të aprovohet qeveria e re irakiane, një ndër çështjet e para do të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës,” kështu citohet të ketë thënë Presidenti irakian, Xhalal Talabani, gjatë një takimi që ka pasur me Presidentin dhe Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaci.

Lajmi është bërë i ditur nga një komunikatë e qeverisë së Kosovës e cila njofton se delegacioni kosovarë ka marrë këtë premtim në Nju Jork ku zyrtarët kosovarë po zhvillojnë takime të shumta me liderë botërorë.

Zyra për shtyp e qeverisë së Kosovës gjithashtu thotë se Presidenti Talabani ka shprehur respekt për “sakrificën e popullit të Kosovës” dhe se ai për këtë arsye mendon që kosovarët “e meritojnë lirinë e fituar.”

Komunikata gjithashtu thotë se shefi i qeverisë, Thaci është takuar edhe me Kryeministrin e Antigua dhe Barbados si dhe me Kryeministrin e Andorës, Zhamë Bartome Kasani, i cili ka premtuar se vendi i tij do ta shqyrtojë vendimin për njohjen e Kosovës, në një të ardhme të afërt.

Ndërkaq Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, ka shfrytëzuar pjesëmarrjen në pritjen e organizuar nga Organizata e Konferencës Islamike në Nju Jork për tu takuar me shumë homologë të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën.

Në mesin e tyre është dhe ministri i jashtëm i Iranit, Mausher Motaki, ministri i jashtëm i Sirisë, Presidentin e Somalisë dhe zyrtarë të shteteve të tjera.
Komunikata e Ministrisë së Jashtme njofton se një natë më parë, Ministri Hyseni është takuar me zyrtarë amerikan në mesin e të cilëve kongresistin amerikan, Eliot Engel, ish zv Sekretarin amerikan të Shtetit, Nikolas Burns dhe Ambasadorin Frank Wisner.
XS
SM
MD
LG