Ndërlidhjet

AI: Të ndalet kthimi i detyrueshëm i romëve


Gjatë operacionit të dëbimit në Francë (19 gusht 2010)
Gjatë operacionit të dëbimit në Francë (19 gusht 2010)
Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International, ka kërkuar nga vendet e Evropës perëndimore që të ndalin kthimin e dhunshëm të romëve në Kosovë.

Në raportin që mban titullin, “Nuk mirëpriten askund: Jepini fund kthimit të detyreshëm të romëve në Kosovë”, organizata tërheqë vërejtjen se si “romët dhe pjesëtarë të komuniteteve tjera pakicë, përfshirë këtu edhe fëmijë, dëbohen për në Kosovë, shpesh pa asgjë më vete, përveç rrobave që kanë në trup, për t’u përballur me diskriminimin dhe dhunën e vazhdueshme”.

“Vendet e Bashkimit Evropian rrezikojnë të shkelin ligjet ndërkombëtare, duke i dërguar njerëzit në vendet ku u kanoset abuzimi apo ndonjë dëmtim tjetër serioz".

"Në vend të kësaj, Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë të ofrojë mbrojtje ndërkombëtare për romët dhe pakicat tjera në Kosovë, derisa të mund të kthehen të sigurt”,
citohet të ketë thënë Sian Jones, eksperte e Amnesty International për Kosovën.

“Autoritetet në Kosovë gjithashtu duhet të sigurojnë që romët dhe pakicat tjera të mund të kthehen në baza vullnetare dhe të reintegrohen lirshëm në shoqëri”, ka thënë ajo.

“Përkundër masave të fundit të prezantuara nga qeveria e Kosovës, me synimin që të përmirësohen kushtet për pritjen dhe reintegrimin e të kthyerve, autoritetet nuk kanë fonde, kapacitet, burime apo gatishmëri politike, për të siguruar një kthim të qëndrueshëm për ta”, ka thënë Sian Jones.

Amnesty International në vazhdim pohon se mijëra romë, që viteve të 90-ta kishin ikur nga lufta dhe përndjekja, janë kthyer në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë.

Shumë nga romët e kthyer, thuhet në raport, kanë lindur në botën e jashtme dhe vetëm një numër i vogël i tyre flet shqip, tash gjuha kryesore në Kosovë.(m.k.)
XS
SM
MD
LG