Ndërlidhjet

Mbyllen ish "Blackwater" dhe 7 kompani tjera në Afganistan


Ministria e Brendshme e Afganistanit të dielën ka marrë vendim që të mbyllë 8 kompani të sigurisë dhe ka konfiskuar qindra armatime derisa qeveria e vendit po shkon drejt marrjes së përgjegjësive sa i përket sigurisë. Kjo gjë në fakt pritet të ndodhë në vitin 2014 kur këto përgjegjësi kalojnë nga forcat ndërkombëtare tek ato vendore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Zemarai Bashari, ka thënë se vendimi për mbylljen e këtyre kompanive është pjesë e planit të sigurisë që në muajin gusht u urdhërua nga Presidenti i vendit, Hamid Karzai. Plani i sigurisë së Karzait ka për qëllim që të godas grupet që merren me trafikim ilegal të armëve ndërsa zyrtarisht operojnë me leje të përkohshme si kompani të sigurisë.

Zëdhënësi Bashari thotë se gati gjysma e 50 kompanive të sigurisë të regjistruara janë të huaja. Qeveria beson se kompanitë e tilla që besohet se kanë punësuar rreth 40 mijë afganë, shpesh operojnë në mënyrë të jashtëligjshme.

Zëdhënësi i Karzait, Vahid Omer, ka thënë të dielën se në mesin e kompanive që janë mbyllur është edhe XE. Kjo kompani e sigurisë dikur njihej me emrin, “Blackwater” ndërsa është akuzuar për vrasjen e civilëve irakian në një rast të bërë publik në vitin 2007.
XS
SM
MD
LG