Ndërlidhjet

Bosnjë: Pas zgjedhjeve, ndarjet e vjetra ende gjallë


Qendra e numërimit të votave në Sarajevë.
Qendra e numërimit të votave në Sarajevë.
Zgjedhjet në Bosnjë-Hercegovinë duket se paraqesin vazhdimësi të ndarjeve etnike në këtë vend.

Me llogaritjen e pothuajse pjesës më të madhe të votave nga zgjedhjet e së dielës, rezultatet tregojnë se në garën për presidencën trepalëshe, votuesit myslimanë dhe kroatë i kanë zgjedhur politikanët e moderuar, që janë në favor të bashkëpunimit. Por, në entitetin serb, kandidatët udhëheqës kanë qëndrim për separatizëm.

Dita e votimeve në Bosnjë-Hercegovinë ishte një ditë e ndërlikuar, në të cilën zgjedhësit votuan jo vetëm për presidencën e përbashkët trepalëshe, por edhe për parlamentin qendror, për dy kuvende rajonale dhe për presidencën serbe të Bosnjës.

Sipas rezultateve të para, kujdesi duhet të përqendrohet në presidencën trepalëshe, pasi duket se federata e brishtë e Bosnjës nuk ishte e aftë t’i kapërcejë ndarjet e thella etnike.

Myslimanët (boshnjakët) dhe kroatët duket se janë kthyer kah politikanët e moderuar, të cilët fuqishëm besojnë në Bosnjën e unifikuar. Këta të moderuar janë Bakir Izetbegoviq, djali i presidentit të kohës së luftës, Alija Izetbegoviq, dhe anëtari i tashëm kroat i presidencës, Zhelko Komshiq.

Të dy këta dhanë deklarata optimiste për të ardhmen, para se të diheshin rezultatet.

“Sipas mendimit tim, ne do ta stabilizojmë situatën në Bosnjë-Hercegovinë dhe do të sjellim ardhmëri më të mirë për shtetasit e Bosnjë-Hercegovinës, e cila do të thotë paqe, kushte më të mira për zhvillimin e ekonomisë”, tha Bakir Izetbegoviq.

Nga ana tjetër, lideri kroat i Bosnjës, Zhelko Komshiq, theksoi se është i vetëdijshëm për punën e vështirë që e pret.

“E dimë se ku kemi hyrë dhe cilës punë i kemi hyrë. Ne e dimë se çfarë është situata në vend dhe sa e vështirë është lufta para nesh. Por, ne nuk do të dështojmë”, tha Zhelko Komshiq.

Gjasat për një fillim të ri, pra për shmangien e mosbesimit nga e kaluara, duket se u zbehën, për faktin se përfaqësuesi aktual i serbëve në presidencë, Nebojsha Radmanoviq, i cili e mbështet ndarjen e serbëve të Bosnjës, po udhëheq në votime për anëtarin serb të presidencës së Bosnjë-Hercegovinës.

Sarajevë, 03 tetor 2010.
Korrespondentët thonë se rizgjedhja e zotit Radmanoviq nënkupton se ndarjet etnike do të vazhdojnë në udhëheqjen e Bosnjës, duke krijuar ngecje të mëtejme politike dhe duke e dëmtuar perspektivën për anëtarësimin eventual në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Në Republikën Serbe të Bosnjë-Hercegovinës, pothuajse është e sigurt se Millorad Dodik do të zgjidhet president. Zoti Dodik, aktualisht kryeministër, i cili është një nacionalist i linjës së ashpër, është kërcënuar me ndarje nga Bosnja gjatë fushatës parazgjedhore.

Dalja në zgjedhje ishte 56%, më e larta prej vitit 2002. Prej përfundimit të luftës së viteve 1992-1995, në Bosnjë-Hercegovinë janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje të përgjithshme, përfshirë edhe këto të fundit.

Megjithatë, zyrtarët zgjedhorë kanë thënë se 13% e votimeve të serbëve janë shpallur të pavlefshme dhe do të hetohet mundësia e vjedhjes zgjedhore. (f.b.)
XS
SM
MD
LG