Ndërlidhjet

Serbia i kërkon falje Italisë



Serbia edhe zyrtarisht i ka kërkuar falje Italisë për dhunën e shkaktuar nga huliganët serbë në ndeshjen Itali-Serbi në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Euro2012, tha shefi i diplomacisë italiane, Franko Fratini.

Fratini tha se homologu i tij serb Jeremiç e ka garantuar gjatë një bisede telefonike se "autoritetet në Beograd do të shtojnë kërkimet për përgjegjësit e dhunës dhe do të arrestojnë kriminelët, që duhet të marrin dënimin e merituar".

Huliganët serbë dhe policia italiane u përleshën dje rreth dhe brenda stadiumit të Gjenovës ku po mbahej ndeshja, e cila u pezullua në minutën e shtatë. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka kritikuar policinë italiane për mënyrën e ndërhyrjes. "Ndërhyrja e policisë italiane mund të kishte qenë shumë më e mirë. Ata nuk duhet t'i kishin lejuar tifozët të futeshin në stadium me sende të forta dhe materialet e tjera që sulmuan". Sipas Daçiqit kjo nuk do të kishte ndodhur në Beograd.

Por një tjetër përfaqësues i qeverisë serbe, sekretari i Shtetit për çështjet e drejtësisë, Sllobodan Homen ka lidhur dhunën në Gjenova të Italisë me trazirat dhe dhunën ndaj homoseksualëve dhe marshuesve të tyre të dielën e kaluar në Beograd.
XS
SM
MD
LG