Ndërlidhjet

EULEX: Aktakuzë për trafikim organesh



EULEX-i njoftoi se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër pesë të pandehurve për trafikim të organeve njerëzore, krim të organizuar, ushtrim të paligjshëm të aktiviteteve mjekësore dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në një njoftim për media, EULEX sqaron se aktakuza është ngritur në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës. Sipas njoftimit, në mesin e të pandehurve janë mjekët dhe një person që më parë ka punuar në nivel të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Trafikimi i organeve, në nivel ndërkombëtar, ka të bëjë me klinikën MEDICUS në vitin 2008 në Prishtinë. Ky rast ka të bëjë me heqjen e organeve domethënë veshkat. ‘Dhuruesit’ dhe pranuesit e organeve ishin të nacionaliteteve të ndryshme”,
thuhet në njoftimin për media të EULEX-it.

Rastin, sipas njoftimit, e kanë filluar zyrtarët policorë të Kosovës dhe të UNMIK-ut në nëntor të vitit 2008. Policia ekzekutive e EULEX-it i ka vazhduar hetimet nën mbikëqyrjen e PSRK-së. Me këtë rast janë caktuar të merren gjyqtarët e EULEX-it.


Marnhac: Veriu sfidë

Në ditën e parë të punës së tij, shefi i ri i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, pranoi se do të ketë sfida në shtrirjen e sundimit të ligjit në tërë Kosovën, veçanërisht në veri, për të cilën pjesë tha se do të jetë sfidë e veçantë. Marnhac i bëri këto komente pas takimeve që pati me krerët e institucioneve të Kosovës.



Shefi i ri i EULEX-it, francezi Xavier Bout de Marnhac, tha se objektivat e misionit evropian do të mbeten të njëjta, por premtoi ndryshime në mënyrën e kryerjes së punës.

“Misioni mbetet i njëjtë, meqë mandati mbetet i njëjtë. Mbase mund të ketë ndryshime, për shkak se mënyra se si unë i kryej punët, është pak më ndryshe nga ajo e pararendësit tim”, tha Marnhac në ditën e parë të punës si shef i EULEX-it.

Misioni i Bashkimit Evropian është vendosur në Kosovë dy vjet më parë. Por, ndër sfidat që nuk ka mundur t’i tejkalojë, është funksionalizimi i plotë në veriun e Kosovës, i cili vazhdon të kontrollohet nga strukturat paralele serbe.

Ish-komandanti i KFOR-it, Xavier Bout de Marnhac, premtoi se do t’i çojë gjërat përpara në këtë pjesë, duke marrë parasysh edhe lidhjet e mëhershme që ka pasur me njerëzit në veri.

“Po, veriu është sfidë. Unë kam për qëllim të shkoj atje sa më shpejt që të jetë e mundur, për të vlerësuar vetë. Dua t’i rivë lidhjet me ata njerëz. Unë kam pasur lidhje në pozitën time të mëhershme në Kosovë (KFOR) dhe dua të ndërtoj raporte personale me faktorë kyçë, për t’i çuar gjërat përpara”.

“Kemi për qëllim që të rrisim dukshmërinë e EULEX-it në veri, praninë e tij në veri, dhe të rrisim sundimin e ligjit atje. Mendoj se ajo që ka ndodhur në javët e kaluara, ka bërë që secili në Kosovë, përfshirë edhe ata në veri, të dinë se mund të ketë sundim ligji”,
tha Marnhac.

Që nga koha kur është vendosur, EULEX-i ka mbajtur një qëndrim neutral karshi statusit të Kosovës. Por, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, shfaqi shpresën se misioni me në krye Xavier de Marnhacun do të ndryshojë këtë qasje.

Ai ka ardhur në kohën kur EULEX-i në një formë edhe ka ndryshuar statusin e tij, për faktin se mendimi i GJND-së ka bërë që edhe EULEX-i të mos jetë neutral ndaj statusit”, tha Krasniqi.

Një nga objektivat e EULEX-it sa është udhëhequr nga Yves de Cermabon, ishte lufta kundër korrupsionit. Por, hetimet e nisura në disa ministri dhe kompani publike, nuk kanë kaluar ende në procese gjyqësore.

Kryeministri Hashim Thaçi, i cili po ashtu u takua me zotin Marnhac, i premtoi ndihmë EULEX-it në këtë drejtim.

“Jemi duke diskutuar mundësinë që shumë shpejt të formohet edhe task- forca antikrim i organizuar dhe antitrafikim. Mendoj së kështu do të plotësohen ata mekanizma adekuatë për sundim të ligjit”, tha Thaçi.

Përfaqësuesi special i BE-së, Pieter Feith, duke i uruar mirëseardhje Xavier de Marnhacut, tha se “roli i EULEX-it është qenësor për ta ndihmuar forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe ecjen drejt të ardhmes së saj në BE”.

Ndërsa ka marrë lëvdata nga institucionet kosovare dhe ndërkombëtare, EULEX-i të tilla mirënjohje nuk ka marrë nga analistët kosovarë.

Belul Beqaj tha se objektivat kryesore të misionit evropian nuk janë përmbushur as për së afërmi. Ai tha se nëse Xavier de Marnhac ndjek rrugën e pararendësit të tij, situata do të mbetet e njëjtë.

“Do të ishte shumë keq për qëllimet që i ka parashtruar misioni i EULEX-it në Kosovë, në situatën kur në vend të sundimit të ligjit, objektivisht po sundon një anarki juridike dhe voluntarizëm politik”, tha Beqaj.

Ai tha se nuk është vetëm veriu, pjesa ku nuk sundon rendi dhe ligji, siç potencojnë dhe vetë institucionet e Kosovës. Beqaj ngre pyetjen nëse i duhet një mision si EULEX-i Kosovës, po qe se ai nuk përmbush objektivat e veta.

Nëse vazhdon misioni me këtë përmbajtje të veprimeve, besoj se edhe qytetarët evropianë duhet ta ngrenë zërin, ngase nuk arsyetohen ato mjete për veprimet e këtij misioni në Kosovë. Nuk e arsyetoi veten as UNMIK-u dhe aq më pak po e arsyeton vetveten sot EULEX-i”, u shpreh Beqaj.

EULEX-i është një nga misionet më të mëdha civile të lansuara ndonjëherë nga Bashkimi Evropian. Misioni ka për qëllim që të ndihmojë Kosovën në fushën e sundimit të ligjit. Ka një personel prej 3200 personash, nga ta 1950 ndërkombëtarë, ndërsa të tjerët vendës. Mandati i EULEX-it është shtyrë kohë më parë deri në qershorin e vitit 2012.

Lexoni edhe këtë:
Shtohen masat e sigurisë në veri
XS
SM
MD
LG