Ndërlidhjet

Ivanoviq: Vetëm BE-ja të jetë ndërmjetëse


Qeveria e Serbisë
Qeveria e Serbisë

“Nëse SHBA-të bëhen pjesë e bisedimeve, një gjë të tillë duhet ta bëjë dhe Rusia”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Oliver Ivanoviq.



RADIO EVROPA E LIRË
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, u bëri thirrje të dy palëve që të fillojnë më shpejt bisedimet Kosovë - Serbi. Shihni ju lëvizje të shpejta në këtë drejtim?

OLIVER IVANOVIQ

Dialogu, bisedimet janë të nevojshme edhe për njërën, edhe për palën tjetër. Është mirë që këtu u përfshi edhe diplomacia amerikane dhe ne, nga ana jonë, jemi të gatshëm për bisedime tashmë një kohë të gjatë.

Është e sigurt, që pala e Prishtinës nuk është në situatë të mirë marrë parasysh zgjedhjet që i ka përpara. Duhet ta marrim këtë parasysh, por krahas saj edhe idenë që bisedimet të nisin sa më shpejt që të jetë e mundur dhe, natyrisht, të mos preken temat kryesore, derisa nuk kryhen zgjedhjet në Prishtinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Për shkak të zgjedhjeve të parakohshme, nuk ka një qëndrim të qartë të institucioneve të Kosovës, në lidhje me datën e bisedimeve. Mendoni se ato do të shtyhen?

OLIVER IVANOVIQ

Mendoj se kjo do të ishte një shenjë e keqe. Nëse shtyhen bisedimet, atëherë ato do të shtyhen më së paku deri në mars apo prill, deri në formimin e Qeverisë. Ndërkohë, nuk mund të jenë bisedimet veprimi i parë i Qeverisë së re.

Për këtë arsye propozoj që bisedimet, si të tilla, të fillojnë në nivel teknik, për ndonjë temë më pak të rëndësishme, për çështje teknike, ndërsa temat kryesore të hapen kur të përfundojnë zgjedhjet, kur të kemi përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve të Kosovës pas zgjedhjeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, thatë më herët se është mirë që edhe diplomacia amerikane është përfshirë në këtë proces të dialogut Kosovë-Serbi, ndërkohë që ka pasur zëra në Beograd, që kanë kundërshtuar përfshirjen e SHBA-ve si ndërmjetëse eventuale krahas BE-së. Cili është pozicioni i Beogradit në raport me SHBA-të dhe dialogun Kosovë-Serbi?

OLIVER IVANOVIQ

Pjesëmarrja, faktikisht roli i SHBA-së pa dyshim se është i një rëndësie të madhe, për shkak të ndikimit të madh te shqiptarët e Kosovës. Por, përfshirja e drejtpërdrejtë në bisedime nuk do të ishte e mirë, sepse nëse SHBA-të do të ishin në formatin e bisedimeve, atëherë do të kërkohej një balancim dhe pjesëmarrje edhe e fuqive tjera të mëdha, si p.sh. Rusisë.

Për këtë arsye mendoj se BE-ja, edhe në emër të OKB-së, duhet ta kryejë këtë punë, pa përfshirjen e fuqive të mëdha, të paktën jo direkt me pjesëmarrjen e tyre në ekipin negociator.

RADIO EVROPA E LIRË
SHBA-të janë deklaruar në një vijë me institucionet e Kosovës duke thënë se nuk do ketë bisedime për status dhe integritet territorial. Cilat mendoni se do të jenë ato çështje që do të bisedohen?

OLIVER IVANOVIQ

Në secilin rast do të diskutohet edhe për statusin, por nuk duhet nxitur këtë çështje, sepse është shumë e ndjeshme - edhe për shqiptarët, edhe për Serbinë. Prandaj, për këtë çështje do të diskutohet, kur të dy palët të jenë të gatshme, derisa nuk zgjidhen çështjet, që kanë të bëjnë me jetën e përditshme.

Mund të nisemi nga disa tema, për të cilat ekziston pajtueshmëria, si për personat e zhdukur dhe të rrëmbyer, pastaj për kthimin, për marrëveshjen rajonale energjetike, të shihet nëse po funksionon ose jo, për çështjen e CEFTA-s nëse po funksionon edhe kjo, për marrëveshjet e reja rajonale që ende nuk janë nënshkruar, si p.sh. në fushën e transportit.

Këto marrëveshje do ta lehtësonin jetën e përditshme të njerëzve të rëndomtë, pa marrë parasysh nëse janë shqiptarë apo serbë. Dhe, natyrisht, që kjo do të sillte qetësim të tensioneve politike dhe më vonë do të krijonte një atmosferë konstruktive.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke mbetur te tensionet, në javën që po lëmë pas, kryeministri Hashim Thaçi, por edhe presidenti serb Boris Tadiq, thanë se ka ardhur koha që të lihen anash konfliktet shekullore në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Mendoni se janë krijuar rrethanat për pajtim eventual mes dy popujve?

OLIVER IVANOVIQ
Mendoj se nga konstruktiviteti i të dy palëve varet paqja dhe stabiliteti në Ballkan, sepse nga ky konflikt historik apo mosmarrëveshjet që ekzistojnë, varet e tërë e ardhmja e Ballkanit Perëndimor.

Evropa nuk guxon t’ia lejojë vetes që ta injorojë këtë çështje. Ky do të ishte një luks tepër i madh. Mendoj se është në interes të Evropës që krahas integrimit të Ballkanit Perëndimor, t’i zgjidhë edhe këto mosmarrëveshje të mëdha mes shqiptarëve dhe serbëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, ju jeni nga veriu i Mitrovicës dhe në këtë pjesë, së fundi autoritetet e rendit kanë shtuar masat e sigurisë, ndërkohë që ju jeni njoftuar nga komandanti i KFOR-it në lidhje me këto masa. Shqiptarët i shohin si përpjekje për integrimin e veriut. Ju ç’mendim keni?

OLIVER IVANOVIQ

Mendoj se është e rrezikshme të flitet për integrim, pasi që as shqiptarët nuk duan të integrohen në Serbi dhe as serbët nuk do të integrohen në ndonjë institucion të Prishtinës nën presionin e KFOR-it. Ky nuk është qëllimi i KFOR-it.

Është e rëndësishme, që të zvogëlohet numri i incidenteve, që të çarmatosen banorët në jug të lumit Ibër, sikurse edhe në veri të lumit Ibër. Ka shumë armë në një vend të vetëm dhe ato mund të shkaktojnë dhe viktima.

KFOR-i nuk mund t’ia lejojë këtë vetes. NATO-ja është këtu, që të ofrojë siguri për të gjithë, por edhe ne, si popull, që jetojmë këtu, kemi një pjesë të përgjegjësisë. Edhe ne si politikanë duhet të propagandojmë kundër dhunës dhe duke mos marrë hapa të njëanshëm.

Ky është apeli im edhe ndaj Prishtinës, mos ndërmerrni hapa të njëanshëm. Mos ndërmerrni hapa që irritojnë njërën palë, që shkaktojnë reagime të shpejta, e që shpesh janë të pamenduar. Për këtë arsye, nuk duhet ta irritojmë njëri-tjetrin, aq më tepër, që fati ka përcaktuar që të jetojmë pranë njëri-tjetrit.
XS
SM
MD
LG