Ndërlidhjet

Gyl: Gjermania ta ndihmoj integrimin e turqëve


Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl, ka kërkuar sot që politikanët në Gjermani, të mos e eksploatojnë çështjen e imigracionit për përfitime politike dhe tha se ata duhet t’i ndihmojnë turqit, që të integrohen më mirë.

Këto komente ai i bëri në Ankara, në konferencën e përbashkët për shtyp, me presidentin gjerman, Kristian Vulf, i cili gjendet për vizitë pesëditëshe në Turqi.

Zoti Gyl tha se turqit e lindur në Gjermani, do të duhej ta mësonin gjermanishten dhe shtoi se si Gjermania ashtu edhe Turqia, kanë dështuar për t’i udhëzuar imigrantët turq.

Gjatë fundjavës së kaluar, kancelarja Angela Merkel, tha se përpjekjet e Gjermanisë, për ndërtimin e shoqërisë multi-kulturore kishin “dështuar krejtësisht”.

Vlerësohet se në Gjermani jetojnë afro pesë milionë myslimanë, përfshirë edhe tre milionë turq.

Presidenti gjerman, Kristian Vulf, tha se imigrantët duhet ta mësojnë gjermanishten nga “mosha e re” dhe të integrohen në shoqërinë gjermane.
XS
SM
MD
LG