Ndërlidhjet

Economist: A ia kthen Turqia shpinën Perëndimit?


Stamboll
Stamboll
“Economist”

Gjithmonë ka qenë e rëndësishme pozita strategjike e Turqisë afër Lindjes së Mesme dhe Rusisë dhe ndërmjet Evropës dhe Azisë. Por, në dekadat e fundit, rëndësia iu rrit dukshëm, pasi kaloi dy transformime, atë ekonomik dhe të politikës së jashtme.

Në vitet e pasluftës, ekonomia e Turqisë ishte e pllakosur nga rritja e vogël ekonomike, inflacioni i madh dhe dështimet e shpeshta bankare. Sot, inflacioni është tejet i ulët, bankat janë solide dhe ekonomia e Turqisë ka shkallën më të lartë të rritjes ekonomike në vendet e OECD-së.

Turqia prodhon mobilie, automjete, veshmbathje, televizorë, DVD dhe çimento, me të cilën është eksportuesi më i madh në botë. Me një fjalë, Turqia mund të quhet Kina e Evropës.

Sa i përket politikës së jashtme, Turqia është anëtar i vjetër i NATO-s, me ushtrinë e dytë për nga madhësia pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Turqia dhe Norvegjia ishin të vetmet vende të NATO-s që kufizoheshin me Bashkimin Sovjetik.
Por, qëndrimi pro-perëndimor i Turqisë sikur i la anash fqinjët e saj, përfshirë shumë vende që një kohë ishin pjesë e Perandorisë Osmane.

Mirëpo tash, e mbështetur nga ekonomia e fuqishme, Turqia është bërë tejet aktive në diplomacinë e saj në Lindjen e Mesme, në Ballkan dhe madje në Afrikë. Me një fjalë, Turqia është bërë gjiganti lokal i diplomacisë, Brazili i rajonit.

Mund të paramendoni se fuqitë Perëndimore do ta mirëpritnin një përparim të këtillë. Por, në vend të kësaj, Turqia prosperuese po acaron shumë nerva. Evropianët po dridhen nga mundësia që një shtet i tillë me aq popullsi të hyjë në Bashkimin Evropian.

Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë qortuar evropianët për ngurrimin e tyre, nuk ndihen rehat me aventurat e reja të politikës së jashtme turke.

Kritikët në Perëndim sikur po fshihen prapa idesë se Turqia po rrëshqet drejt fundamentalizmit mysliman dhe sikur “është e humbur” për Perëndimin.

Gjykimi është krejtësisht i gabuar: sa më shumë njerëz në Perëndim që këmbëngulin ta bëjnë këtë, aq më të mëdha do të jenë gjasat që ata me të vërtetë ta humbin Turqinë.

Sa i përket Izraelit, qeveria e kryeministrit Rexhep Taip Erdogan ka kundërshtuar ndërtimin e kolonive. Por, ajo e bën atë që e bëjnë shumica e demokracive: i pasqyron pikëpamjet e njerëzve të saj.

Cili shtet mysliman do ta dëgjonte më mirë zërin e Amerikës? Mos vallë autokratët në Egjipt dhe në Arabinë Saudite, apo klerikët në Iran?

Arsyetimi më i shpeshtë i atyre që kundërshtojnë pranimin e Ankarasë në Bashkimin Evropian, është pohimi se ajo nuk është vërtet perëndimore. Por, drojat se Turqia mund të bëhet një Iran i ri, janë absurde.

Turqia po shkon në kah të mirë. Ajo mbetet shembull i një demokracie të gjallë me sundim të ligjit dhe ekonomi të tregut të lirë.

Prandaj, kur shumica e liderëve perëndimorë duan të argumentojnë rreth Turqisë, pyetja e vërtetë do të ishte për vetë ata.

A janë amerikanët dhe evropianët të gatshëm ta pranojnë Turqinë ashtu siç është: demokraci myslimane, me sjellje të ndryshme kulturore dhe diplomatike, por e përkushtuar ndaj liberalizmit ekonomik dhe politik? Kjo gazetë shpreson se përgjigjja është po. (v.p.)
XS
SM
MD
LG