Ndërlidhjet

G-20: Pajtuershmëri për reformimin e FMN-së


Ministrat e financave të vendeve më të zhvilluara ekonomikisht të botës, janë pajtuar për reformat e gjëra të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Marrëveshja u arrit në takimin e ministrave të financave dhe të shefave të bankave qendrore të Grupit të 20 vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim.

Në kumtesën e G-20, në mbyllje të takimit të mbajtur në Korenë Jugore, zyrtarët financiarë u pajtuan për reformim të kuotave të sistemit votues në FMN, në mënyrë që fuqit ekonomike, siç janë Kina dhe India, të kenë më tepër ndikim në procesin e vendim marrjes.

Drejtori menagjues i FMN-së, Dominik Shtraus Kan, tha se reformat janë “më të mëdhat” në historinë e këtij institucioni me 187 vende anëtare, që është krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, si mbikëqyrës i sistemit global financiar.

Ministrat e financave të këtij grupi thanë se anëtarët e tij do të lëvizin kah “sistemi i këmbimit të valutave, që më tepër përcaktohet nga tregu” dhe se do të përmbahen nga “zhvlerësimi garues i valutave”, që mund ta dëmtoj ekonominë globale.

Ky samit i zyrtarëve të financave u bë para samitit të shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve G-20, që mbahet në Seul, muajin e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG