Ndërlidhjet

U tërhiqet vërejtja personave që kërkojnë azil


Shkup (Foto arkivi)
Shkup (Foto arkivi)

Vala e re e azilkërkuesve dhe kritikat nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian në adresë të Qeverisë së Maqedonisë, kanë alarmuar institucionet shtetërore për të ndërmarrë masa urgjente në parandalimin e migrimit të qytetarëve në shtetet evropiane.

Nga Qeveria thonë se fillimisht do të tentohet që përmes fushatave të ndryshme t’i informojnë qytetarët, se liberalizimi i vizave nuk nënkupton edhe fitimin e statusit të azilit në vendet ku shkojnë.

Nëse kjo masë nuk jep rezultate dhe përkeqësohet situata, institucionet paralajmërojnë edhe konfiskimin e dokumenteve të udhëtimit të atyre personave që vazhdojnë ta keqpërdorin këtë proces, me qëllim që të mos rrezikojnë vendosjen e serishme të vizave për Maqedoninë.

“Për shkak se kjo lëvizje mund të rrezikojë procesin e liberalizmit, janë marrë edhe masat konkrete që të pengohet, domethënë të vazhdohet me fushatën për njoftimin e qytetarëve njëkohësisht kjo të bëhet edhe nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta”.

“Pra, pjesëtarë të Kabinetit, ministra dhe zëvendëskryeministra do të jenë nëpër lagje, ku duhet t’ua shpjegojnë qytetarëve që mundësia e azil-qëndrimit në vendet Shengen, është zero, por t’i njoftojnë ato me liberalizimin e vizave dhe të gjitha procedurat tjera”
, deklaron zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.

Për gjendjen e krijuar analistët fajësojnë edhe Qeverinë, e cila sipas tyre fare pak ka bërë për t’i informuar qytetarët me obligimet nga liberalizimi i vizave duke i dhënë më së shumti përparësi përfitimit politik nga heqja e tyre.

Në atë aspekt, faji është te Qeveria, sepse ajo është shfrytëzuar shumë si moment politik dhe nuk është sqaruar se çka do të thotë liberalizimi i vizave. Këtu Qeveria, edhe pse harxhon shuma të mëdha për kampanja të ndryshme, për këtë kampanjë nuk tregoi vullnet ose nuk investoi në mënyrë të mjaftueshme që t’ia sqarojë popullatës se çka do të thotë liberalizimi i vizave”, vlerëson analisti Albert Musliu.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme, numri i azilkërkuesve ka filluar të shënojë rritje nga fillimi i muajit të kaluar. Vetëm në Gjermani në muajin shtator janë paraqitur 521 kërkesa për azil, 146 në Suedi dhe 82 në Belgjikë.

Ndërsa, gjatë këtij muaji numri është rritur për 206 persona. Analisti Albert Musliu nuk shpreh besim se kjo situatë e krijuar do të çojë në sanksione për Maqedoninë.

“Akoma nuk jemi në atë fazë dhe është mirë që të reagohet në këtë fazë të këtyre ngjarjeve, që të mos mbërrijmë deri në atë situatë që Maqedonia sërish të hiqet prej listës
”, shprehet Musliu.

Ndihmë për tejkalimin e situatës kanë ofruar edhe nga Qendra Ndërkombëtare për zhvillimin e politikave migruese, ndërkohë që rajonet e Lejkovës të banuara me popullatë shqiptare dhe disa vendbanime tjera me popullate rome janë vizituar edhe nga zyrtarë të lartë të Belgjikës.

Me këtë rast, ata u kanë rikujtuar edhe një herë se gjasat për marrjen e statusit të azilit janë zero dhe se çdo keqpërdorim i liberalizimit të vizave mund të sanksionohet nga Bashkimi Evropian.
XS
SM
MD
LG