Ndërlidhjet

SHBA: Republikanët fituan në Dhomë, demokratët në Senat


Partia Republikane në Shtetet e Bashkuara e ka marrë kontrollin në Dhomën Përfaqësuese, e cila deri tash dominohej nga Partia Demokratike e presidentit Barak Obama.

Duket se kjo ishte shprehje e pakënaqësisë së votuesve me rritjen e ngadalshme ekonomike dhe me kundërshtimin e konservatorëve ndaj presidentit Obama.

Rezultatet zyrtare tregojnë se republikanët kanë fituar më se 50 vende nga demokratët dhe e marrin kontrollin në Dhomën Përfaqësuese, me 435 vende, ku prej vitit 2006 shumicë ishin demokratët e Obamës.

Sipas rezultateve, republikanët kanë fituar së paku gjashtë vende nga demokratët në Senat, që i ka 100 vende. Megjithatë, pritet që në Senat demokratët ta mbajnë një shumicë me pak diferencë.

Ligjëvënësi republikan konservator, John Boehner, nga shteti Ohajo, do të bëhet kryesues i Dhomës Përfaqësuese, në vend të demokrates Nency Pelosi.

Duke folur para mbështetësve të Partisë Republikane, zoti Boehner, pos tjerash, tha:

“Derisa shumica jonë e re do të shërbej si zëri juaj në dhomën e popullit, ne duhet ta mbajmë mend, se është presidenti ai i cili e cakton agjendën për qeverinë tonë. Populli amerikan e ka dërguar një mesazh të pagabueshëm për të dhe ai mesazh është - ndryshoje kursin. Ne shpresojmë se presidenti Barak Obama, tash do ta respektoj vullnetin e popullit, do ta ndryshoj kursin dhe do të përkushtohet për bërjen e ndryshimeve, që po kërkohen. Deri në masën që ai është i gatshëm ta bëjë këtë, ne jemi të gatshëm të punojmë me të”, tha John Boehner.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti Obama i ka telefonuar zotit Boehner, mbrëmë vonë, dhe i ka thënë liderit republikan se ai është i gatshëm për të punuar me të dhe me republikanët, për të gjetur terren të përbashkët për të mirën e popullit amerikan.
XS
SM
MD
LG