Ndërlidhjet

Shala: Zgjedhjet e shpejta – derë e hapur për manipulim


Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, ka tërhequr vërejtjen se koha e shkurtër për mbajtjen e zgjedhjeve mund të krijoj kushte për manipulim.

Në intervistë për agjencinë DPA, zoti Shala vlerësoi se zgjedhjet e këtilla për një kohë të shkurtër “e lënë derën e hapur për manipulim”.

Ai e ka akuzuar kryeministrin në dorëheqje, Hashim Thaçi, se ka bërë gjithçka të mundshme për t’i provokuar zgjedhjet e ardhshme sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Është paradoks. PDK votoi kundër vetvetes për të pasur zgjedhje të shpejta”, tha Blerim Shala.

Ai e ka akuzuar Thaçin për detyrimin e mbajtjes së zgjedhjeve, para se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, eventualisht të mund të kthehej nga Tribunali i Hagës.

Sipas zotit Shala, Thaçi “dëshiron ta krijoj një demokraci hibride dhe diktaturë personale”.

Mëtutje, Blerim Shala, tha se “të gjitha partitë duhet të ulen së bashku për të krijuar kushte për zgjedhje të pastra” dhe shtoi se “vetëm zgjedhjet korrekte, të monitoruara nga bashkësia ndërkombëtare, mund të ofrojnë shpresë për dalje nga situata e pashpresë ekonomike dhe sociale”.
XS
SM
MD
LG