Në Shkup është protestuar kundër miratimit të ligjit për regjistrimin e popullsisë.
Imer Selmani, kryetar i partisë Demokracia e Re, e cila organizoi protestën, kërkoi nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që të mos e mbështesë propozim-ligjin e hartuar nga qeveria, pasi ai nuk do të përfshijë qytetarët që ndodhen në punë të përkohshme jashtë vendit.
Demokracia e Re kërkon që regjistrimi të mbahet në muajin korrik, kur në vendlindje kthehen dhe mërgimtarët.
Por, BDI-ja premtoi regjistrim korrekt të popullsisë.
Kjo parti ftoi qytetarët shqiptarë që pozitivisht dhe në mënyrë afirmative t’i përgjigjen thirrjes për regjistrim të popullsisë.
Ky regjistrim pritet të realizohet nga data 1 deri më 15 prill të vitit 2011.