Ndërlidhjet

Moska: Ekstradimi i But në SHBA - i paligjshëm



Rusia tha se ekstradimi nga Tajlanda në SHBA i një të dyshuari për tregti me armë është “ilegal” dhe i pajustifikueshëm.

Ministria e jashtme ruse përmes një deklarate tha se duke ekstraduar Viktor But-in, qeveria tajlandeze ka lëshuar pe para një presioni amerikan të “paprecedentë”.

SHBA-të e akuzojnë Butin, një ish oficer i forcave ajrore sovjetike, se ka trafikuar armë që nga vitet e ’90-ta për diktatorët dhe për grupet terroriste në Afrikë, Amerikë Jugore dhe në Lindjen e Mesme.

But ka mohuar akuzat, duke thënë se ai udhëheq një biznes të ligjshëm të ngarkesave.

But është larguar nga Bangkoku me një aeroplan special amerikan, pak kohë pasi që qeveria tajlandeze u pajtua me vendimin e gjykatës për dërgimin e tij në SHBA.

Ai është arrestuar në vitin 2008 në Bangkok pas një operacioni në të cilin u përfshinë agjentë të fshehtë amerikanë.

Nëse gjykohet në SHBA ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm.
XS
SM
MD
LG