Ndërlidhjet

Florin Krasniqi padit Thaçin në gjykatë



Florin Krasniqi nga lëvizja “Vetëvendosje” deponoi sot në Gjykatën Komunale të Prishtinës një padi kundër kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, për siç tha, akuzat që Thaçi ka bërë kundër tij dhe familjes së tij.

Krasniqi i referohet një komunikate të lëshuar nga Partia Demokratike Kosovës më 5 nëntor, të cilën e quan “shpifje”.

Në këtë komunikatë, PDK-ja e pat cilësuar Krasniqin “pseudopatriot të parapaguar” dhe kishte vënë në shënjestër pjesë nga jeta e tij private, duke reaguar ndaj akuzave të mëparshme që Krasniqi kishte bërë në adresë të udhëheqësve aktualë të institucioneve të Kosovës.

Më 3 nëntor, Florin Krasniqi, një ish ushtar i UÇK-së, u zotua se do ta çlirojë Kosovën nga, siç u shpreh, “bandat e organizuara kriminale”.

Krasniqi, i cili ka edhe nënshtetësi amerikane, thotë se padia e ngritur sot përmban “14 falsifikime dhe akuza”, që janë përmendur në komunikatë.

Partia Demokratike e Kosovës ende nuk është përgjigjur ndaj kësaj padie.
XS
SM
MD
LG