Ndërlidhjet

Obama takohet me Sakashvilin



Presidenti i Gjeorgjisë, Mikail Sakashvili, ka shprehur mbështetjen e vendit të tij për angazhimin e NATO-s me Rusinë, me shpresën se kjo do të bëjë që "Rusia të sillet në mënyrë më të civilizuar ndaj fqinjëve". Këto qëndrime Sakashvili ia ka bërë të ditura dhe homologut të tij amerikan Barak Obama. Obama e Sakashvili zhvilluan takimin e parë kokë më kokë që nga ardhja e Obamas në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti gjeorgjian tha se Obama mbështet aspiratat e vendit të tij për t'iu bashkuar NATO-s.

Nga ana tjetër, pas takimit, Shtëpia e Bardhë, përmes një deklarate, bën të ditur se presidenti Obama falenderoi Sakashvilin për "kontributin e rëndësishëm" dhe "sakrificat" e Gjeorgjisë në dërgimin e trupave të tyre në Afganistan, në kuadër të misionit të NATO-s.

I dërguari i Gjeorgjisë në NATO, Grigol Mgalobshvili për Radion Evropa e Lirë deklaroi:

"Ishte një takim shumë i rëndësishëm. Padyshim mbajtja e një takimi të tillë paralelisht me samitin e NATO-s ka dhe një dimension simbolik. Takimi në vetvete ishte një takim pune", tha diplomati gjeorgjian pas takimit Obama-Sakashvili.

Në gusht të vitit 2008 Gjeorgjia dhe Rusia u përfshin në luftë lidhur me rajonin e Osetisë së Jugut, që kërkon shkëputjen nga Gjeorgjia. Rusia ka pranuar pavarësinë e dy rajoneve gjeorgjiane, Osetisë së Jugut dhe Abkazisë.
XS
SM
MD
LG