Ndërlidhjet

I kërkuari nga FBI jeton hapur në Kosovë


Bajram Asllani
Bajram Asllani
"Reuters"

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Bajram Asllanin si njërin nga njerëzit më të kërkuar, por për shkak të statusit të pazakonshëm ndërkombëtar të Kosovës, nuk kanë mundësi ta ekstradojnë dhe ta marrin në pyetje, njofton agjencia e lajmeve Reuters.

Për dallim nga të tjerët në listën e “më të kërkuarve”, Asllani nuk është duke u fshehur në ndonjë shkretëtirë të largët apo male të dendura.

Ai jeton haptazi me familjen e tij në Kosovë, një shtet ballkanik pro-amerikan, në të cilin rreth 800 ushtarë amerikanë ndihmojnë në ruajtjen e paqes së brishtë midis shumicës shqiptare dhe pakicës serbe.

Një polic miqësor madje tregon rrugën që çon te shtëpia e Asllanit në Mitrovicë, kur pyetet nga një gazetar.

Rasti i Asllanit është zënë në mes të një sistemi të përzier ligjor në Kosovë, sistem ky i cili ua ka lënë hapësirën gjykatësve dhe prokurorëve të Bashkimit Evropian të merren me raste të mëdha, si terrorizmi dhe krimet e luftës.

Posteri i FBI-së “Wanted”, i publikuar në Internet, e ka ndërlikuar jetën për Asllanin, i cili jeton me një përfitim shtetëror të papunësisë prej 75 eurosh, së bashku me gruan e tij dhe tre fëmijët.

“E kam humbur punën dhe ndonjëherë nuk kam mjaft për të ushqyer fëmijët e mi”, thotë ai, pasi i ofroi mysafirit një gotë me lëng dredhëze në shtëpinë e tij të vjetër.

“Askush nuk më merr në punë. Të gjithë më thonë: ti je terrorist, ke sulmuar amerikanët”, citohet të ketë thënë Asllani.

Në posterin e FBI-së shkruan: “Bajram Asllani dyshohet të ketë bashkë-komplotuar me një grup prej tetë individësh në Shtetet e Bashkuara, të cilët dyshohet se kanë bashkë-komplotuar për t’u angazhuar në xhihad të dhunshëm apo luftë të shenjtë dhe për të mbledhur para për muxhahedinë ose luftëtarë të angazhuar në xhihad të dhunshëm”.
Asllani, një 30 vjeçar nga Kosova, është arrestuar në qershor, por është liruar pasi gjykatësit e Bashkimit Evropian refuzuan kërkesën e Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e tij.

Gjykatësit e BE-së patën thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ofruar baza të mjaftueshme për të besuar se Asllani i kishte kryer këto vepra dhe njëkohësisht kanë cituar mungesën e një marrëveshjeje ekstradimi midis Uashingtonit dhe Prishtinës.

Ndërkaq, vetë Asllani pohon se është i pafajshëm.


Bazë për islamin ekstremist

Njeriu, të cilin FBI e konsideron si shumë të rrezikshëm, jeton afër ndërtesës së Kombeve të Bashkuara dhe në ditët e rëndomta ai kryen lutjet në një xhami lokale, duke përshëndetur policët kur del për të blerë ushqime.

Pamja e tij është e njëjtë me atë që gjendet në faqen e Interpolit, e në të cilën këshillohen ata që kanë informacione mbi vendndodhjen e tij, që të kontaktojnë policinë apo vetë Interpolin.

“Jam viktimë e shërbimeve sekrete”, thotë Asllani, i cili akuzohet se ka ofruar material mbështetës për terroristët e dyshuar dhe se ka komplotuar për të vrarë dhe lënduar njerëz.

Ai akuzohet se ka lidhje me njerëz nga Karolina e Veriut, të arrestuar vitin e kaluar për një komplot të dyshuar për të sulmuar bazën e marinës amerikane në Quantico të Virxhinias dhe plane të dyshuara për të lënduar njerëz në Kosovë, Jordani dhe në Rripin e Gazës.

Për Asllanin thuhet se ishte përgatitur të blejë tokë në Kosovë, për të ndërtuar një bazë për islamin ekstremist, duke përfshirë një depo armatimi dhe trajnim për luftëtarët, me synimin për të kryer akte terroriste në botë.

“Ne vazhdojmë të synojmë gjykimin e tij në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Drejtësisë, Dean Boyd.

Në shtator të 2009-ës, një gjykatë serbe ka dënuar Asllanin në mungesë me tetë vjet heqje lirie, për shitjen e armëve te militantët islamikë, një akuzë të cilën ai e mohon.

Shtëpia e tij në Mitrovicë gjendet vetëm disa qindra metra larg lumit Ibër, i cili ndan këtë qytet në pjesën që kontrollohet nga Qeveria e Kosovës dhe atë që është besnike ndaj Beogradit zyrtar.

Por, nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Serbia vendet që duan ta shohin Asllanin prapa grilave. Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, për ekstradimin e tij.

“Amerikanët dinë diçka për të dhe nuk do ta akuzonin dikë që nuk ka bërë gjë”, citohet t’i ketë thënë agjencisë Reuters një burim nga Qeveria e Kosovës, i afërt me rastin ne fjalë.

“Ai është dashur të shkojë në Shtetet e Bashkuara dhe të përballet me akuzat”, thotë ky burim.

Bajram Asllani thotë se e gjitha që i ka mbetur është familja dhe besimi fetar, me të cilin thotë se ka arritur të kalojë tmerret gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Kam parë njerëz me zemra të nxjerra, pa koka dhe pas luftës kam pasur shumë trauma. Islami më ka ruajtur nga këto trauma dhe e falënderoj Zotin për ndihmën që ma ka dhënë”, thotë Asllani.

Që prej akuzave, ai thotë se çdo gjë është e zezë. “Po të isha i armatosur dhe i rrezikshëm, nuk do të isha këtu dhe do të kisha kushte më të mira jetese”, thotë i kërkuari nga FBI. (a.v.)
XS
SM
MD
LG