Ndërlidhjet

RROSH: Të lehtësohet dhënia e nënshtetësisë shqiptare


Rrjeti i Organizatave Shqiptare(RROSH) me rastin e 28 nëntorit, Ditës së Flamurit, ka dërguar një deklaratë të hapur të gjitha institucioneve më të larta shtetërore të Republikës së Shqipërisë, mbi lehtësimin e procedurave për marrjen e nënshtetësisë shqiptare për të gjithë personat me kombësi shqiptare, kudo që ata jetojnë.

“Ne mendojmë se praktika e deritanishme ligjore e Republikës së Shqipërisë që nuk bën dallim midis aplikuesve të nënshtetësisë me kombësi shqiptare dhe joshqiptare, nuk është dinjitoze dhe shkon kundër interesave kombëtare shqiptare”, thuhet në deklaratën e RROSH-it.

“Veprimet institucionale që do të lehtësonin kushtet që duhet të përmbushen për të marrë nënshtetësinë e Republikës së Shqipërisë nga aplikuesit me kombësi shqiptare, krahasuar me ata të një kombësie tjetër nuk janë të ndaluara as nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe as nga standardet ndërkombëtare që Shqipëria kërkon të përmbushë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Rrjetit të Organizatave Shqiptare.

Ky rrjet për justifikimin e një veprimi të tillë sjell një mori argumentesh dhe sqaron se dhënia e nënshtetësisë do të ishte një praktikë që tashmë shumcia e shteteve të Ballkanit e praktikojnë.

“Diferencimi kombëtar në dhënien e nënshtetësisë së Republikës së Shqipërisë nuk është një praktikë e re në Ballkan, ku disa shtete kanë kohë që e zbatojnë këtë praktikë”, thuhet në deklaratën e RROSH-it.

“E drejta e dhënies dhe e refuzimit të nënshtetësisë rast pas rasti mbetet atribut sovran i institucioneve të shtetit shqiptar. Rrjedhimisht mendojmë se lehtësimi i procedurave nuk do të sjellë pasoja negative për interesat e Republikës së Shqipërisë dhe angazhimet e saj ndërkombëtare”, thotë Rrjeti i Organizatave Shqiptare, që tubon organizatat nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe komuniteti çam sic thuhet për të bashkërenduar përpjekjet për një jetë sa më të mirë dhe me dinjitet të shqiptarëve kudo ku janë.
XS
SM
MD
LG