Ndërlidhjet

Bosnja, kombi i harruar


Srebrenicë
Srebrenicë
"Independent"

Shkruan: Markus Taner

Spitali pediatrik Jezero në Sarajevë u rihap zyrtarisht muajin e kaluar. Kjo ngjarje do të duhej të ishte një moment gëzimi, por, siç ndodh shpesh në Bosnjën e ndarë, ishte një ngjarje e shoqëruar me ndjenja të përziera.

Spitali u mbyll në vitin 1992, jo se ishte i vjetër, por se serbët që e mbanin qytetin të rrethuar, e bombarduan që në fillim të luftës me artileri. Gjashtë të sapolindur u zhdukën në rrënojat e spitalit.

Shumë ngjarje të këtij lloji në Bosnjën e sotme kthehen në momente të hidhura. Më shumë sesa simbolizojnë rilindjen pas një lufte shkatërruese, ato rizgjojnë kujtimet e errëta në një vend që nuk ka përjetuar ende një proces të vërtetë pajtimi.

Zemërimi nuk është larguar asnjëherë dhe vendi e ndjen ende thellësisht përndjekjen nga kujtimet e luftës së para 15 vjetëve.

Si korrespondent i gazetës Independent në Bosnjën e kohës së luftës, asnjëherë nuk e vizitova spitalin e Jezeros, por kam kaluar shumë net në spitalet pa drita të Sarajevës.

Me gazetarin e BBC-së në atë kohë, Alen Litlëll, vizituam 5-vjeçaren Irma Haxhimuratoviq, në spitalin e Kosevos. Irma vuante nga meningjiti.

Vendosmëria e Alen Litëllit bëri që të lëvizte pak nga vendi qeveria e Xhon Mejxhërit dhe Irma të transportohej në Londër. Ishte shumë vonë për 5-vjeçaren, e cila ndërroi jetë, duke u bërë pjesë e 1500 fëmijëve të vrarë nga rrethimi i Sarajevës.

Mosha e njomë e kaq shumë viktimave shpjegon pse kujtimet e luftës janë kaq të gjalla në Bosnjë. Prindërit e këtyre fëmijëve ishin në atë kohë në të njëzetat apo tridhjetat e tyre. Sot ata i takojnë moshës së mesme.

Vendi është i mbushur me plot burra e gra që në të njëzetat e tyre humbën bashkëshortet apo bashkëshortët, e sot janë vetëm 40-vjeçarë.

Natyrisht, kjo nuk është arsyeja e vetme pse Bosnja nuk ka lëvizur shumë që nga viti 1995. Në pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë, luftërat e viteve ’90 përfunduan në një mënyrë më të qartë.

Në Kroaci e Kosovë, serbët humbën dhe i tërhoqën trupat e tyre, e bashkë me ushtarët iku dhe një pjesë e mirë e popullsisë serbe.

Lufta në Bosnjë nuk ka pasur asnjëherë një mbyllje përfundimtare. Në fakt, amerikanët në verën e vitit 1995 imponuan një lloj armëpushimi, duke ngrirë ushtritë e ndryshme në terren.

Serbët e Bosnjës duhet të largoheshin nga Sarajeva, por, sipas kushteve të Dejtonit, ata mbajtën nën kontroll gjysmën e vendit, derisa boshnjakët dhe kroatët u shtynë në pjesën e mbetur.

Çfarë është edhe më tronditëse, qyteti i Srebrenicës, i cili para luftës kishte shumicë boshnjake, e që njihet si vendi i masakrës së mbi 7000 djemve e burrave boshnjakë, iu dha serbëve.

Pas 1995-ës, e detyruar më së shumti nga ndjenja e fajit, bota dha fonde për rindërtim dhe dërgoi para drejtësisë një numër kriminelësh lufte.

Ndërkombëtarët u thanë vendorëve se është koha të ecin përpara. Por, nuk pati asnjëherë një komision të së vërtetës. Nuk ka pasur asnjëherë kërkesë të qartë faljeje.

Grupet e të mbijetuarve, siç janë nënat e Srebrenicës, bëjnë pelegrinazhin e tyre vjetor në qytetin ku burrat, djemtë e vëllezërit e tyre u vranë, duke e ditur se thuajse të gjithë vrasësit janë të lirë e disa madje shëtisin nëpër të njëjtin qytet.

Padyshim, një vend i bërë bashkë në një mënyrë kaq të papërshtatshme nuk është habi që nuk ecën përpara e ka mbetur në vendnumëro. Nga viti 1995, një pjesë e madhe e më të mirëve të këtij vendi janë larguar. Për ata që kanë mbetur, nuk ka shumë për të bërë, veç të vizitojnë varret. E ka shumë të tilla. (i.b.)
XS
SM
MD
LG