Ndërlidhjet

Shqipëri: Edhe më tej situatë e rëndë nga përmbytjet


Në Shqipëri vazhdon situta e rëndë më përmbytjet. Ndërsa Shkodra ka disa ditë që është nën ujë, situata është përkeqësuar edhe në Vlorë për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosë.

Njoftohet se janë dëmtuar dhjetëra shtëpi si dhe janë përmbytur dhjetëra hektarë tokë.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto ka takuar ambasadorët e BE dhe NATO të akredituar në Shqipëri, të cilët i ka informuar rreth situatës në veri të vendit.

“Falenderoj Italinë për paketën e ndihmës, Austrinë për menaxhimin e mirë të situatës. I informova ambasadorët përsa i takon zonave të përmbytura, banorëve të evakuuar, shtëpive të përmbytura dhe u paraqita nevojat më emergjente për situatën më të fundit në Shkodër”, ka thënë Haxhinasto.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë theksoi se kërkesa për ndihma fokusohej më shumë tek varkat e vogla dhe çadrat që do t'u shërbejnë banorëve për zgjidhje të përkohshme në këtë situatë ku ndodhen aktualisht.

“Bëra kërkesë për varka të vogla që të mund të nisim ushqimet dhe pajisje mjekësore, kërkuam cadra apo mjete të tjera që do ndihmojnë banorët për strehimin e tyre të përkohshëm”, tha Haxhinasto.

Qarku i Shkodrës prej ditësh përjeton momente të vështira mes përmbytjeve të shkaktuara nga fryrja e liqenit të Shkodrës, lumit Buna, e Drin.

Qarkullimi po kryhet vetëm me varka.

Deri më tash janë evakuuar më shumë se 9 mijë banorë.
XS
SM
MD
LG