Ndërlidhjet

DV jep rezultatet preliminare për mbi 50% të votave


“Demokracia në Veprim” ka publikuar rezultatet preliminare për 51.8% të votave të numëruara nga zonat e ndryshme të Kosovës.

Bazuar në këto të dhëna, PDK-ja ka fituar 30.69% të votave, LDK-ja 26.2%, Lëvizja Vetëvendosje radhitet e treta me 12.78%, pastaj AAK-ja me 10.89%, AKR-ja me 7.85%, e pasuar nga FER-i me 2.35% dhe LDD-ja me 2.78% të votave të numëruara deri më tani.

Kreu i “Demokracisë në Veprim”, Ismet Kryeziu, bëri të ditur se, për shkak të parregullsive të evidentuara, është ndërprerë numërimi i votave në komunën e Skenderajt dhe atë të Drenasit.

I pyetur nëse do të ketë nevojë të përsëriten votimet në këto dy komuna, Kryeziu u shpreh:

“Ne do t’i kemi dokumentet ose faktet në ditët në vijim. Ne nuk jemi organi kompetent që vendos për këtë çështje; është organi shtetëror KQZ-ja, e cila me siguri se me PZAP-in do t'i bëjnë hetimet e hollësishme për këtë çështje”.

Megjithatë, kreu i këtij rrjeti të organizatave joqeveritare që po monitoron procesin zgjedhor, nuk deshi të japë ndonjë vlerësim lidhur me ndikimin eventual të parregullsive në dy komunat në fjalë në tërë procesin zgjedhor.
XS
SM
MD
LG