Ndërlidhjet

SHBA: Vdiq diplomati Riçard Hollbruk


Mbrëmë në moshën 69 vjeçare, ka vdekur diplomati amerikan, Riçard Hollbruk.

Së fundit, ai ishte i dërguar special i presidentit Barak Obama për Afganistanin dhe Pakistanin.

I ndjeri Hollbruk ishte arkitekt i Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995, me të cilën përfundoi lufta në Bosnjë Hercegovinë.

Në fund të viteve të 90-ta, ai u kthye në Ballkan, në kohën kur në Kosovë shpërtheu lufta ndërmjet forcave serbe dhe shqiptarëve.

Raportohet se në mars të vitit 1999 ai shkoi në Beograd për t’i dhënë ultimatumin final, ish presidentit të Serbisë, Sllobadan Millosheviq, se NATO-ja do të bombardoj nëse agresioni ndaj Kosovës nuk ndalet. Millosheviqi nuk i pat dëgjuar këto vërejtje.

I ndjeri Hollbruk vdiq në moshën 69 vjeçare, mbrëmë vonë në Uashington.

Ai ishte në gjendje kritike shëndetësore për shkak të problemeve me aortë, prej të premtes, derisa po punonte në Departamentin amerikan të shtetit.

Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se Holbruku ishte “gjigant i vërtetë i politikës së jashtme amerikane”.

“Riçard Hollbruk e ka shërbyer vendin tonë me nder për afro 50 vite, nga një oficer i ri i jashtëm në Vietnam, e deri tek arkitekti i marrëveshjeve që i ndalën masakrat në Ballkan. Ai i avanconte përpjekjet tona rajonale si përfaqësues special në Afganistan dhe Pakistan. Ai thjeshtë ishte një nga gjigantët e politikës së jashtme amerikane”, tha Barak Obama.

Mëtutje, në deklaratën e tij, zoti Obama, tha se “janë miliona njerëz në mbarë botën, jetët e të cilëve ishin shpëtuar dhe pasuruar” nga puna diplomatike e Hollbrukut, në zonat e trazuara dhe me luftëra në rajone”.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, në deklaratën e saj tha se Amerika e ka humbur njërin prej “kampionëve të saj më të fuqishëm dhe shërbyesin më të dedikuar”.
XS
SM
MD
LG