Ndërlidhjet

Tirana: Prokuroria s'pengoi hetimet


Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë ka reaguar për raportin e Dikk Martit, në lidhje me trafikun e organeve të kryera sipas tij në një shtëpi në rrethin e Matit, që Karla Del Ponte në librin e saj e etiketon si “shtëpia e verdhë”.

Sipas këshilltarit për Mediat në Prokurorinë e Përgjithshme, Plator Nesturi, për këto akuza të vjetra është hetuar që në vitin 2004 pa gjetur asnjë provë, prandaj Prokuroria e Shqipërisë nuk ka gjetur bazë për nisjen e çështjes penale.

"Deklarimeve të ish prokurores Karla del Ponte në librin e saj për një bazë në fshatrat e Burrelit ku pretendohej se kryhej heqja e organeve të ushtarëve serbë për qëllime tregtimi, i ka paraprirë në vitin 2004, një verifikim i një grupi të Prokurorisë së Hagës në bashkëpunim me prokurorë shqiptarë, që ka marrë në evidencë këto të dhëna në shtëpinë e supozuar si bazë për këtë qëllim".

"Në bazë të verifikimit të përbashkët të ekspertëve të Hagës dhe atyre shqiptarë, nuk ka rezultuar se të dhënat e parashtruara të kenë ndonjë bazë vërtetësie, ndaj Prokuroria e Shqipërisë nuk ka gjetur bazë për nisjen e çështjes penale", ka theksuar Nesturi.

Në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme theksohet se institucionet shqiptare nuk kanë dijeni për të dhënat që jep Dik Marti në raport, ndërsa shtohet se asnjëherë këto institucione nuk kanë penguar hetime të tilla, por janë të hapura për cdo bashkëpunim me hetues ndërkomëtarë.

"Pretendimet e paraqitura së fundmi në raportin e anëtarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Dik Marti, mbi ekzistencën e bazave të tilla ku presupozohet se janë kryer transplante, si në Fushë Krujë a diku gjetkë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të dhëna për të cilat Prokuroria e Shqipërisë nuk ka pasur asnjë dijeni dhe për të cilat nuk është njoftuar apo paraqitur kërkesë për hetim nga asnjë organ hetimor ndërkombëtar".

"Prokuroria e Shqipërisë e deklaron të pabazë çdo insinuatë se institucionet shqiptare janë bërë pengesë për hetimin e kësaj çështjeje. Njëkohësisht, Prokuroria e Përgjithshme, në respekt të legjislacionit dhe konventave ndërkombëtare ku Shqipëria është palë, shpreh gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me institucionet e specializuara nderkombetare", theksohet në deklaratën e Prokurorisë.
XS
SM
MD
LG