Ndërlidhjet

9 paramilitarë serbë gjykohen për krime në Kosovë



Nëntë pjesëtarë të forcave paramilitare serbe dolën sot para gjykatës nën akuzat për krime të luftës të kryera ndaj shqiptarëve civilë gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Të pandehurit, pjesëtarë të njësitit paramilitar "Çakali", akuzohen për vrasjen e 43 civilëve shqiptarë në fshatin Qyshk afër Pejës në 14 maj, 1999.

Aktakuza i ngarkon ata për vrasje, dhunim dhe plaçkitje në mënyrë "ekstremisht brutale" me "synim kryesor që të mbjellin frikë tek shqiptarët civilë me qëllim që t'i detyrojnë t'i braktisin shtëpitë dhe të ikin në Shqipëri".

Të nëntë të pandehurit ndodhen në paraburgim që nga arrestimi i tyre në muajin mars.

Prokuroria pohon se këta pjesëtarë të njësitit janë përgjegjës pos tjerash edhe për vrasjen e Hasan Çekut, banbait të ish kryeministrit Agim Çeku, si dhe të disa anëtarëve të familjes së tij.

Shtatëmbëdhjetë persona tjerë, të cilët janë në arrati, dyshohet se gjithashtu kanë marrë pjesë në krim. Interpoli ka lëshuar fletëarreste për ta.

Në konfliktin në Kosovë e kanë humbur jetën rreth 13 mijë njerëz, shumica shqiptarë, transmeton AFP.
XS
SM
MD
LG