Ndërlidhjet

Bota mirëpret ratifikimin e START-it nga ana e SHBA-së


Rusia, NATO, OKB dhe Japonia janë në mesin e atyre që kanë mirëpritur ratifikimin nga ana e senatit të traktatit për kontrollin e armatimit bërthamor mes SHBA-së dhe Rusisë.

Ligjëvënësit votuan 71:26 në favor të Marrëveshjes së re për Reduktimin e Armatimit Strategjik (START), pasi ishin siguruar së paku dy të tretat e votave për miratimin e këtij pakti.

Marrëveshja e nënshkruar nga presidentët Barak Obama dhe Dimitrij Medvedev në muajin prill kërkon nga SHBA dhe Rusia që të reduktojnë për 30 për qind kokat bërthamore.

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov e mirëpriti marëveshjen, por tha se Moskës i duhet kohë që ta studiojë dokumentin, para se ta ratifikojë traktatin edhe Duma shtetërore ruse.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen vlerësoi se ratifikimi i paktit nga ana e SHBA-së është “kontribut i rëndësishëm për sigurinë euro-atlantike”, ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban ki-Moon tha se votimi përçon një “mesazh të qartë” në mbështetje të çarmatimit dhe moshpërndarjes së armëve bërthamore.
XS
SM
MD
LG