Ndërlidhjet

DV monitoron rivotimin me 500 vëzhgues


Rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka bërë të ditur se me rreth 500 vëzhgues do të monitorojë rivotimin e së dielës në komunën e Skenderajt, Drenasit, Deçanit dhe pjesërisht në komunat e Lipjanit dhe Malishevës.

Sipas një komunikate për media, “Demokracia në Veprim” planifikon t’i ketë nga dy vëzhgues në çdo vendvotim.

Udhëheqësi i këtij rrjeti, Ismet Kryeziu, u ka bërë thirrje partive politike që të mundësojnë një proces demokratik.

“I ftojmë subjektet politike që të demonstrojnë përgjegjësi politike dhe të mundësojnë një garë korrekte e demokratike”, ka thënë Kryeziu në një konferencë për media të mbajtur të shtunën.

Mësohet se në rivotimin e 9 janarit do të përfshihen 62 qendra të votimit me 185 vendvotime. Numri i përgjithshëm i votuesve thuhet të jetë 138,657.
XS
SM
MD
LG