Ndërlidhjet

Armenia, origjina e verës?


Shtrydhësi i rrushit
Shtrydhësi i rrushit
Këtë muaj shkencëtarët njoftuan për zbulimin e punishtes më të vjetër në botë të prodhimit të verës.

Gjetja e bërë në një shpellë malore në Armeninë e sotme bëri që Kima, banore e fshatit aty afër shpellës, të ngrinte një dolli me verën e prodhuar vetë.

Kima shet verën e prodhuar në shtëpi në një kioskë në fshatin Areni rreth 100 km larg kryeqytetit armen. Ajo beson se zbulimi do të jetë burim frymëzimi dhe krenarie për banorët e zonës, për më tepër kur vera mbetet burimi kryesor i të ardhurave për rajonin.

“Natyrisht që gëzohesh kur e mëson se ky është vendi ku është prodhuar për herë të parë vera. Kjo të nxit të prodhosh verë më të mirë. Shpejt do të kemi këtu një vend turistik”
, thotë Kima.

Zbulimi që u publikua më 11 janar nga një ekip ndërkombëtar flet se prodhimi i verës në këtë vend ka nisur 6000 vjet më parë. Kjo e shtyn me 3000 vjet kohën nga kur dihet që është prodhuar pija e parë e fermentuar.

Boris Gasparian është arkeologu që ka drejtuar ekipin, i cili zbuloi punishten e verës.

“Kemi zbuluar punishten më të hershme të prodhimit të verës. Nëse njerëzit kanë prodhuar verë para 6000 vjetësh kjo do të thotë se rrushi ishte prodhim vendor”,
sqaron Gasparian.

Në Armeninë e sotme prodhuesit e verës e shohin zbulimin si mundësi për të futur këmbët në tregun ndërkombëtar të verës. Avag Hartunian thotë se duhet përdorur kjo mundësi për të bërë më shumë reklamë për verën armene.

“Ne mund të kapim një vend të rëndësishëm në tregun ndërkombëtar të verës. Burimet tona janë kaq të pakta sa nuk guxojmë të prodhojmë verë të cilësisë së dobët”,
thotë Hartunian.

Prodhimi i verës në Armeni mori një goditje të rëndë në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik ku u shkatërruan sipërfaqe të konsiderueshme me vreshta në emër të luftës kundër konsumimit të alkoolit.

Armenia ka humbur gjysmën e vreshtave në 30 vitet e fundit, ose e thënë me shifra nga 36 mijë hektarë në 1970, mw 1999 kishte 15 mijë hektarë.

Pas pavarësimit të Armenisë në vitet ’90, industria e prodhimit të verës u zhvillua ngadalë, duke bërë që prodhuesit vendorë në të shumtën e rasteve të mos konkurrojnë dot në tregun ndërkombëtar.

Si për ironi, fshati Aren është mbikëqyrur nga afër gjatë Luftës së Ftohtë nga ekspertët sovjetikë të mbrojtjes në kërkim të shpellave të thella për t’u përdorur në planet ushtarake.

Patrik MekGavërn profesor universitar dhe autori i librit “Vera e lashtësisë, në kërkim të rrënjëve”, thotë se zbulimi i fundit përputhet me trajektoren që besohet se ka ndjekur historiku i prodhimit të verës.

MekGavërn thotë se nuk është vetëm Armenia, por gjithë rajoni pjesë e kësaj historie. Sipas MekGavërnit, fjala gjeorgjiane për verën është më afër emërtimit para-indoevropian.

Pavarësisht origjinës së verës, ajo e ka kaluar provën e kohës. Edhe pas 6000 vjetësh vazhdon të shijohet me kënaqësi nga miliona njerëz në botë, e për qindra mijëra të tjerë është burimi kryesor i jetesës.(.i.b.)


Armeni: Zbulohet veraria më e vjetër në botë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:47 0:00
XS
SM
MD
LG