Ndërlidhjet

Berisha: Përgjegjësi e Ramës, Gjinushit dhe Ruçit


Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në orët e mbrëmjes ka mbajtur një takim me gazetarët, në të cilin ka vlerësuar se përgjegjësinë për protestën e sotme në Tiranë, që përshkallëzoi me akte dhune, e ka, siç tha ai, "trojka Rama - Gjinushi - Ruçi".

"Ai që mendon se mund të vijë në pushtet me dhunë, mund të marrë çdo gjë tjetër, përveç pushtetit", tha kryeministri Berisha.

"Opozita organizoi një skenar puçist dhe e paralajmëroi atë. Zoti Rama do të mbajë përgjegjësi për gjithë këtë që ndodhi dhe jap garanci që do të japë përgjegjësi shumëplanëshe", tha kryeministri i Shqipërisë.

"E ftoj zotin Rama të mos provokojë kombin shqiptar dhe shoqërinë shqiptare, se do të vijnë vështirësi të mëdha", tha zoti Berisha.

Duke folur për tri viktimat që humbën jetën në protestën e sotme, Berisha tha se "secili prej tyre është qëlluar nga afër me pistoleta të lehta, që nuk gjenden në armatimin e forcave të rendit".

Berisha shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për policinë e shtetit, për, siç tha," shkallën më të lartë të profesionalizmit dhe përgjegjësisë, që dëshmuan se ligji dhe shteti ligjor janë më të fortë se çdo bandë e çdo bandit në këtë vend".
XS
SM
MD
LG