Ndërlidhjet

Irani: Fuqitë botërore s’kanë agjendë bisedimesh


Negociatorët iranianë kanë akuzuar fuqitë botërore se po mbajnë bisedime “vetëm për hir të bisedimeve”.

Abolfazel Zorevand, ndihmës i shefit negociator të Iranit, Saed Xhalili, u tha gazetarëve se “pala tjetër, fatkeqësisht, nuk ka një agjendë të qartë dhe bindëse për bisedimet... ata vetëm duan të mbajnë bisedime”.

Diplomatët perëndimorë kanë thënë më herët se negociatat e sotme do të përqendrohen në përpjekjet për të ringjallur propozimin për një marrëveshje bërthamore, sipas së cilës, Irani do të transportonte uranium të pasuruar jashtë vendit, në këmbim të karburanteve për një reaktor mjekësor të Teheranit.

Bisedimet në Stamboll kanë sjellë ballë për ballë delegacionin e Iranit, me në krye Saed Xhalilin, dhe përfaqësuesit e Britanisë, Kinës, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, të cilët udhëhiqen nga kryediplomatja evropiane, Kethrin Eshton.

Irani ka refuzuar të diskutojë për kërkesën e Kombeve të Bashkuara, që i bën thirrje atij të ndalojë pasurimin e uraniumit dhe aktivitetet e tjera bërthamore.
XS
SM
MD
LG