Ndërlidhjet

Vazhdojnë protestat në Egjipt



Protestuesit egjiptianë që kërkojnë largimin e presidentit Hosni Mubarak sot pritet të dalin në numër më të madh.

Organizatorët shpresojnë që dhjetra mijë vetë që do të marrin pjesë në faljen e së premtes, do të marrin pjesë në protestat.

Si në shumë vende të Lindjes së Mesme, egjiptianët janë të zemëruar nga rritja e çmimeve, papunësia dhe pushteti autoritar.

Opozita fitoi shtysë të enjten kur fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Mohamed ElBaradei arriti në Kairo nga Vjena.

"Do të jem atje me njerëzit, veçanërisht me të rinjtë, të cilët u prinë, i organizuan dhe i menaxhuan demonstratat paqësore në rrugë. Unë do t'u jap çdo mbështetje politike, shpirtërore dhe morale. Do të jem me ta. Ata janë populli im, dhe unë duhet të jem atje. Do të doja të shoh një Egjipt të ri", tha ElBaradei.

Poashtu, edhe Vëllazëria Myslimane i ka mbështetur protestat, të cilat sot hyjnë në ditën e katërt.

Në komentet e para të tij, presidneti amerikan Barak Obama i bëri thirrje Mubarakut t'i bëjë reformat e domosdoshme politike.

"Shpresa ime kryesore tash është se dhuna nuk është përgjigje për zgjidhjen e këtyre problemeve në Egjipt. Qeveria duhet të jetë e kujdesshme të mos i rreket dhunës, ashtu siç duhet të jenë edhe njerëzit në rrugë. Mendoj se është e rëndësishme që njerëzit të kenë mekanizma për t'i shprehur aspiratat legjitime të tyre", tha Obama.

Bilanci i të vdekurve në protesta ka arritur në pesë.
XS
SM
MD
LG