Ndërlidhjet

WP: Një Egjipt demokratik apo një shtet i urrejtjes?


Kajro
Kajro
"Washington Post"

Gjërat në Lindjen e Mesme do të shkojnë nga e keqja drejt më së keqes. Një marrëveshje izraelito-palestineze nuk shihet në horizont.

Libani tashmë është bërë shtet i Hezbollahut, që do të thotë se Irani është bërë fuqi edhe më e rëndësishme rajonale. Egjipti, nga një shtet që dukej stabil, tash është futur në kaos.

Ëndrra për një Egjipt demokratik mund të prodhojë një ankth. Problemet e Egjiptit janë të mëdha, sepse ka standard jetësor në ngecje për popullatën, nuk ka institucione civile dhe politike, që janë të domosdoshme për një demokraci.

Një qeveri e ardhshme e Egjiptit mund të përbëhet nga islamistët dhe në këtë rast paqja me Izraelin mund të shfuqizohet. Edhe vetë ekzistenca e Egjiptit është e sfiduar.

Hamasi pa asnjë ekuivok thotë se do ta zhbëjë Izraelin. “Vëllazëria Myslimane”, pas ushtrisë, është institucioni më i organizuar në Egjipt. Pavarësisht që për disa breza ka vepruar në nëntokë, ka qenë e burgosur dhe e torturuar, megjithatë ka mbijetuar dhe momenti i saj mund të afrohet.

Kriza në Egjipt ka prodhuar diskutime të pafundme për rolin e Amerikës. Shtetet e Bashkuara mbesin të fuqishme dhe të rëndësishme, por ato tashmë kanë humbur kontrollin e ngjarjeve.

Për më tepër, nuk është aq me rëndësi se çfarë thotë Uashingtoni tani. Islamistët e Vëllazërisë nuk e përçmojnë Amerikën për atë që bën, por për atë çfarë është.

Sundimi i shumicës është një ide e vlefshme, por gjithashtu edhe respektimi i minoriteteve, liria fetare dhe barazia e grave. Është e mundur që islamistët bashkëkohorë të Egjiptit mendojnë më ndryshe për këto çështje. Nëse është kështu, atëherë s’ka arsye për brengosje.

Por, Hamasi në Rripin e Gazës, edhe pse kohën e fundit ka moderuar misionin e tij, sugjeron ndryshe. Ashtu edhe Irani.

Ata amerikanë dhe të tjerë, të cilët i kanë përshëndetur bandat në rrugët e Kajros dhe në qytetet tjera të Egjiptit, që kërkojnë deklarata më të fuqishme kundër Mubarakut nga administrata Obama, do të duhej ta linin Uashingtonin të merrej me këtë çështje gradualisht.

Hosni Mubarak tashmë është histori. Ai ka qëndruar shumë gjatë, ka qenë dhe kokëfortë... Egjipti dhe e gjithë Lindja e Mesme janë në prag të përçarjes. Amerika duhet t’i mbrojë të drejtat e njeriut, por gjithashtu duhet të mbrojë edhe historinë. Këtë herë, këto dyja nuk mund të jenë të njëjta. (v.t.)
XS
SM
MD
LG