Ndërlidhjet

Mubarak: Do të përfundojë mandatin



Presidenti egjiptian, Hosni Mubarak, deklaroi se nuk do të garojë për një mandat të ri presidencial në zgjedhjet e shtatorit. 82-vjeçari tha se do ta përdorë kohën e mbetur për të siguruar kalim paqësor të pushtetit.

"Përgjegjësia ime parësore është kthimi i sigurisë dhe stabilitetit në vend, në mënyrë që të kemi një kalim paqësor të pushtetit, në frymën ku Egjipti dhe egjiptianët të jenë të mbrojtur. Pushteti do t'i kalojë kujtdo që zgjidhet nga populli në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. E them me ndershmëri, pavarësisht zhvillimeve të fundit, se nuk do të garoja në zgjedhjet e ardhshme. Kam kaluar shumë kohë në shërbim të Egjiptit dhe popullit, por tani jamë më se i vendosur ta përfundojë mandatin tim për hir të kombit", tha Mubarak gjatë një fjalimi në televizion.

Fjalimi i Mubarakut erdhi në kohën kur dhjetëra mijëra egjiptianë kanë mbushur rrugët e vendit për ta larguar atë nga kreu i shtetit.

Presidenti Obama tha se ka folur me udhëheqësin egjiptian dhe Mubaraku e pranon faktin se status quo-ja nuk është e qëndrueshme.

"Popullit të Egjiptit, në veçanti të rinjve, dua t'ua bëj të qartë se ne e dëgjojmë zërin tuaj. Kam besim të patundur se ju do ta përcaktoni fatin tuaj dhe do të kapni momentin për një të ardhme më të mirë për fëmijët dhe nipërit e mbesat tuaja", tha Obama.

Një nga figurat kryesore sot në Egjipt, fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Mohamed El Baradai e cilësoi veprimin e Mubarakut si "manovër".
XS
SM
MD
LG