Ndërlidhjet

Jemen: Mijëra protestues kërkojnë dorëheqjen e presidentit


Mijëra njerëz sot kanë dalë në rrugët e kryeqytetit të Jemenit, Sana, për të kërkuar përfundimin e sundimit 30 vjeçar të presidentit Ali Abdullah Saleh, përkundër koncesioneve të ofruara nga ai.

Raportohet se afro 20 mijë protestues janë tubuar në pjesë të ndryshme të kryeqytetit.

Njëherësh, mbështetësit e presidentit, poashtu, janë tubuar në një shesh qendror të kryeqytetit Sana.

Protestat e sotme janë përshkruar si më masivet prej se ato filluan, para disa ditësh, të inspiruara nga protestat në Tinizi dhe Egjipt.

Këto protesta po bëhen megjithë deklaratën e presidentit Saleh, se ai do të largohet nga zyra, kur të përfundoj mandati i tij aktual, në vitin 2013.

Ai poashtu, tha se nuk do ta kaloj pushtetin te djali i tij.

Agjencia shtetërore e lajmeve Saba, raportoi se presidenti amerikan, Barak Obama, i kishte telefonuar Salehit për t’i dhënë mbështetje për iniciativat e tij.

Organizatorët e protestës së sotme thonë se koncesionet nuk ishin të mjaftueshme.

Jemeni ballafaqohet me një lëvizje separatiste në pjesën jugore, me një kryengritje shiite në veri dhe me praninë e shtuar të militantëve të al-Kaidës.
XS
SM
MD
LG