Ndërlidhjet

Times: Multikulturalizmi dështoi


Pas kancelares gjermane Angela Merkel, ka qenë kryeministri britanik Dejvid Kamerun, i cili gjatë fundjavës deklaroi se multikulturalizmi ka dështuar. Në cak të kritikave janë pakicat myslimane në Britani.

Times

Toleranca, demokracia dhe rregulla të ndershme loje kanë qenë në thelb të vlerave britanike për gjenerata, si dhe kanë qenë në thelb të politikës në këtë vend. Janë këto vlera që e mbrojtën Britaninë nga rënia nën kthetrat e nazizmit apo komunizmit, siç ndodhi me Gjermaninë apo Rusinë.

Këto vlera orientuan Britaninë edhe gjatë fluksit të migrantëve nga kontinente dhe kultura të ndryshme, fluks që kishte njohur ritme të larta veçanërisht dy gjenerata më herët. Multikulturalizmi, ishte koncepti që synonte t’u lejonte komuniteteve të migrantëve të ruanin vlerat dhe traditat e tyre edhe në vendin pritës.

Është e trishtueshme, por multikulturalizmi ka dështuar. Në vend të pasurimit të jetës britanike, kjo qasje ka krijuar kultura që shpesh jetojnë të ndara nga ajo britanike. Komunitetet janë kthyer në geto mendore dhe fizike.

Në konservatorizmin e tyre të thellë, këto grupime e shohin shoqërinë pritëse përmes shumë keqkuptimeve, e jo rrallë dhe me armiqësi. Disa grupe pakicash nuk kanë madje as dëshirën të ndihen pjesë e Britanisë.

Toleranca nuk është përgjigje e mjaftueshme. Ajo është keqpërdorur nga ekstremistët çfarë solli deri te sulmet e 7 korrikut 2005 në metronë e Londrës.

Kryeministri britanik nga konferenca e sigurisë në Mynih këtë fundjavë bëri thirrje për një “liberalizëm më të fuqishëm”, që kundërshton qëndrimet dhe praktikat e papranueshme dhe vihet aktivisht në mbrojtje të demokracisë dhe lirisë.

Ndonëse Kameruni foli në Mynih, caku kryesor i fjalimit të tij ishte komuniteti mysliman në Britani.Organizatat që marrin fonde publike, e kanë për detyrë t’i luftojnë kundërshtarët e demokracisë dhe të të drejtave themelore, të cilët i shtyjnë të rinjtë myslimanë në rrugën e terrorizmit.

Kryeministri britanik përsëriti me këmbëngulje se nuk ishte islami apo myslimanët e devotshëm problemi, por ideologjia politike e ekstremizmit islamik.

Në shoqërinë britanike ekziston një zemërim në rritje me ata që mbështesin terrorizmin dhe nënçmojnë vlerat e shoqërisë britanike. Në këtë kuadër, nuk mund të tolerohen edhe praktika si martesat e detyruara duke u justifikuar thjesht me faktin se është pjesë e traditës kulturore.

Është pozitive që të gjitha këto shqetësime ngrihen nga kryeministri dhe nuk duhet që ky debat të merret peng nga hajdutët dhe racistët.

Ajo çfarë ishte zhgënjyese pas fjalimit të Kamerunit ishte reagimi i disa prej udhëheqësve myslimanë. Myslimanët britanikë duhet ta kuptojnë se qëllimi i debatit nuk është demonizimi i fesë së tyre, por shpëtimi i besimit të tyre nga ata që duan ta armiqësojnë me pjesën tjetër të botës.

Multikulturalizmi i ka lënë pakicat të ndara. Liberalizmi aktiv e i fuqishëm duhet të luftojë për vlerat e të gjithë atyre që jetojnë në Britani dhe e quajnë këtë vend shtëpi të tyre.(i.b.)
XS
SM
MD
LG