Ndërlidhjet

Klinton: Gadafi të shkojë menjëherë


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton tha se është koha që lideri i Libisë, Moamer Gadafi të shkojë menjëherë, pa kurrfarë vonese apo dhune të mëtejme.

Duke folur në Këshillin për të Drejtat e Njeriut të OKB-së në Gjenevë, Klinton i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të bashkëpunojë në hapat e ardhshëm për të ndihmuar dhënien fund të krizës.

Ajo tha se qëndrimi i Uashingtonit është se "asgjë nuk është jashtë tryezës" përderisa regjimi i Gadafit kërcënohet dhe vret civilë.

Më herët, Komisionarja e Lartë e KB për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillai, bëri thirrje që të gjitha vendet t’i mbështesin reformat në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian u dakordua për sanksionet kundër regjimit të Gadafit, përfshirë embargo të armëve, ngrirje të aseteve dhe ndalesa të udhëtimit.

Ministri i Energjisë i Hungarisë, Tamas Fellegi, vendi i të cilit ka kryesinë e radhës të bllokut, tha se BE-ja u " vendosi embargo të armëve Libisë dhe sanksione atyre që janë përgjegjës për ushtrimin e dhunës ndaj popullatës civile".

Ngrirja e aseteve dhe ndalesa e vizave të udhëtimit ka në shënjestër Gadafin dhe rrethin më të ngushtë të tij.
XS
SM
MD
LG