Presidenti amerikan Barak Obama tha se po shqyrton çdo opcion lidhur me Libinë, përfshi dhe sulmet ushtarake.
Duke folur në Uashington Obama ka mbështetur thirrjet e opozitës për largimin e Muamar Gadafit.
Obama e bëri të qartë s enuk e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së një zone të ndalim fluturimit mbi Libi për të penguar forcat e Gadafit që të bombardojnë forcat anti-qeveritare. Kreu i Shtëpisë së Bardhë e bëri të qartë se përparësi në këto momente është ndihma ndaj refugjatëve dhe parandalimi i një krize të mundhsme humanitare.
"Ekziston rreziku i vazhdimit të situatës aktuale mes grupeve të ndryshme në Libi, që me kalimin e kohës mund të kthehet në të përgjakshme. Ky është një skenar që po e shohim me kujdes. Dua të sigurohem se Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetet e plota për të vepruar shpejt nëse situata përkeqësohet dhe krijohet një krizë humanitare", tha Obama.
Brenda Libisë raportohet se mbështetësit e opozitës vazhdojnë të kontrollojnë pjesën më të madhe në lindje të vendit. Forcat e Gadafit kanë filluar një valë arrestimesh, vrasjesh dhe zhdukjesh që kanë si cak mbështetësit e opozitës në Tripoli.