Ndërlidhjet

Karzai: Vrasja e civilëve, e papranueshme


Presidenti afgan, Hamid Karzai, i është adresuar komandantit të trupave amerikane në Afganistan, gjeneralit Dejvid Petreus, duke thënë se vrasja e civilëve nga forcat e NATO-s është e papranueshme dhe se kërkimfaljet nuk mjaftojnë.

Komentet e Karzait pasojnë vdekjen e nëntë fëmijëve pak ditë më parë, nga një sulm ajror i Aleancës.

Qindra njerëz janë tubuar sot në rrugët e Kabulit për të protestuar ndaj incidentit, duke brohoritur “vdekje Amerikës”. Njëri nga protestuesit i tha agjencisë së lajmeve Reuters se fuqitë perëndimore kanë anashkaluar tragjedinë.

“Bashkësia ndërkombëtare është dëshmitare e vrasjeve në operacionet e NATO-s, por nuk i ka kushtuar vëmendje kësaj. Ne duam ta ngremë këtë çështje”, tha ai.

Viktimat civile janë bërë çështje gjithnjë e më e ndjeshme në Afganistan, ku 140 mijë ushtarë të huaj vazhdojnë të luftojnë kryengritësit talibanë.
XS
SM
MD
LG