Ndërlidhjet

Kryqi i Kuq: Libia ka rrëshqitur në luftë civile


Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se Libia ka rrëshqitur në luftë civile. Presidenti i këtij trupi, Xhejkob Kellenberger, paralajmëroi se luftimet midis kryengritësve dhe forcave besnike të Muamer Gadafit mund të intensifikohen.

“Ne gjithmonë duhet të përgatitemi për më të keqën. Në këtë rast, duhet të përgatitemi për një intensifikim të mëtejshëm luftimesh”, tha ai.

Ndërkohë, Zyra e presidentit francez, Nikolas Sarkozi, tha se Franca ka njohur Këshillin Kombëtar të kryengritësve libianë si përfaqësues legjitim të popullit të Libisë. Parisi është bërë vendi i parë që ka ndërmarrë një hap të tillë.

Presidenca franceze tha se do të dërgojë ambassadorin në Bengazi dhe do të pranojë të dërguarin e Libisë në Paris.

Njoftimi vjen pas takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel, ndërsa ministrat e mbrojtjes të 28 vendeve anëtare të NATO-s po mbajnë bisedime të ndara mbi opsionet ushtarake në Libi, përfshirë dhe zonën e nalim fluturimit.

Rusia, njëra nga furnizueset kryesore me armë të regjimit të Gadafit, sot ka ndaluar të gjitha shitjet e armëve në Libi, duke pezulluar çdo kontratë.

Por, megjithatë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se ndërhyrja ushtarake në Libi do të ishte e papranueshme dhe se diskutimet për zonën e ndalim fluturimit janë të parakohshme.
XS
SM
MD
LG