Ndërlidhjet

Arabia Saudite: Policia i ka shpërndarë protestuesit


Raportohet se policia në Arabinë Saudite ka hapur zjarr për t’i shpërndarë protestuesit e pjesëtarëve të minoritetit shiit në këtë vend.

Dëshmitarët kanë thënë se janë dëgjuar të shtëna dhe se policia ka përdorë edhe granata, derisa forcat e sigurisë e kanë ndalë protestën e mbrëmshme të qindra shiitëve në qytetin lindor, Qatif.

Një zëdhënës i ministrisë së brendshme saudite tha se policia ka shtënë në ajër, pasi pjesëtarë të masës së njerëzve e kishin sulmuar një oficer policie. Sipas këtij zëdhënësi, janë plagosur dy protestues dhe një polic.

Incidenti ndodhi para protestave publike të paralajmëruara për sot, të cilat organizohen nga veprimtarët për demokraci, që janë të inkurajuar nga kryengritjet e fundit në Tunizi dhe Egjipt.

Autoritetet e Arabisë Saudite kanë tërhequr vërejtjen se protestat e tilla janë të ndaluara dhe se forcat e sigurisë do të veprojnë për ta ndalë çdo demonstratë.
XS
SM
MD
LG