Ndërlidhjet

Japoni: Një minutë heshtje për viktimat e katastrofës



Një minutë heshtje është mbajtur sot në orën 14.46 në Japoni në kujtim të viktimave nga tërmeti i fortë që goditi një javë më parë dhe nxiti cunamin shkatërrimtar.

Bilanci zyrtar i të vdekurve dhe të zhdukurve nga cunami i së premtes së kaluar ka shkuar në të paktën 16.600, ndërsa më shumë se 6.500 njerëz janë konfirmuar të vdekur.

Tërmeti i javës së kaluar gjithashtu i dëmtoi katër nga gjashtë reaktorët në centralin bërthamor rreth 250 km në veri të Tokios.

Ekipet vazhdojnë me operacionet për rivendosjen e lidhjeve elektrike në sistemin e ftohjes të reaktorit bërthamor që u dëmtua nga tërmeti dhe cunami.

Jukia Amano, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, e quajti emergjencën bërthamore "aksident ekstremisht serioz", dhe tha se do të duhet ndihma ndërkombëtare.

Incidenti bërthamor konsiderohet më i rrezikshmi pas katastrofës në Çernobil në vitin 1986.
XS
SM
MD
LG