Ndërlidhjet

Saleh s'do largohet nga pushteti para zgjedhjeve 2012


Presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh, tha se do të largohet nga posti vetëm pas organizimit të zgjedhjeve parlamentare në janar të 2012-ës.

Saleh u tha komandantëve të ushtrisë se ekziston mundësia e shpërthimit të luftës civile, nëse ai lë pushtetin.

“Çdo ndarje në institucionet ushtarake, do të ketë ndikim të keq në vend. Ata që po bëjnë përpjekje të arrijnë në fron, duhet ta dinë se një gjë të tillë nuk mund ta bëjnë me forcë dhe grusht-shtet. Kjo do të çonte në luftë civile”, ka thënë Saleh.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, tha se Uashingtoni “është jashtëzakonisht i shqetësuar me situatën e paqëndrueshme në Jemen, ku dhjetëra njerëz kanë humbur jetën në përleshjet ndërmjet forcave të sigurimit dhe protestuesve.

Këta të fundit bëjnë thirrje për largimin e presidentit Ali Abdullah Saleh pas 32 vjetësh në pushtet. Saleh ka qenë aleat i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër islamistëve radikalë.
XS
SM
MD
LG