Ndërlidhjet

Siri: Dhunë ndërmjet protestuesve dhe forcave të sigurisë


Banorët në vendin Dara, në pjesën jugore të Sirisë, thonë se së paku gjashtë vetë janë vrarë sot herët në mëngjes, nga forcat e sigurisë, të cilat kanë hapur zjarr kundër personelit mjekësor afër një xhamie në këtë qytet.

Dhuna ndodhi derisa qindra njerëz ishin tubuar në xhami, që ishte qendra e tubimeve prej së premtes së kaluar, për ta parandaluar policinë, që ta shkatërroj një kamp të protestuesve dhe një pikë mjekësore.

Qeveria e Sirisë, që i fajëson “bandat e armatosura”, tha se tre vetë janë vrarë afër xhamisë.

Mëtutje, në njoftimin e qeverisë theksohet se “forcat e sigurisë do të vazhdojnë t’i ndjekin gangsterët e armatosur, që po i terrorizojnë civilët”.

Gjakderdhja ndodhi disa ditë pas vrasjes së 6 njerëzve, në përleshjet ndërmjet protestuesve anti-qeveri dhe forcave të sigurisë, afër xhamisë.

Demonstruesit po kërkojnë përfundimin e ligjit për gjendje të jashtëzakonshme dhe më tepër liri.

Disa po kërkojnë edhe përfundimin e sundimit të presidentit Bashar al-Asad, që e kishte marrë presidencën pas vdekjes së babait të tij, në vitin 2000.

Prej vitit 1963, në pushtet në Siri ishte partia Bath.
XS
SM
MD
LG