Ndërlidhjet

CIA: Shtëpia e Bardhë vendos për fotot e bin Ladenit



Drejtori i CIA-s, Leon Paneta tha se fotografia e trupit të Osama bin Ladenit mund të bëhet publike në një të ardhme të afërt.

Ai tha se megjithate Shtëpia e Bardhë do të duhet ta marrë vendimin përfundimtar.

Paneta shtoi se ai nuk e di se kur mund të publikohet fotografia.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka zbuluar më shumë detaje për vrasjen e njeriut më të kërkuar në botë.

Zëdhënësi Xhim Karnei tha se bin Ladeni ishte i pa armatosur, por i rezistoi kapjes dhe u qëlua për vdekje.

"Bin Ladeni dhe familja e tij u gjetën në katin e dytë dhe të tretë të ndërtesës. Kishte shqetësime se bin Ladeni mund të kundërshtonte operacionin e kapjes së tij, dhe vërtetë ai rezistoi. Në dhomën me bin Ladenin, një grua, bashkëshortja e tij, iu vërsul sulmuesit amerikan dhe u qëllua në këmbë, por nuk u vra. Bin Ladeni pastaj u qëllua dhe u vra. Ai nuk ishte i armatosuir", tha Karnei.

Shtetet e Bashkuara zotohen se do t'i "shkojnë deri në fund" për të parë nëse Pakistani i ka ndihmuar Osama bin Ladenit që të shmangë ndjekjen e tij përpara se të vritet në vërsuljen e forcave speciale amerikane.

Shefi kundër terrorizmit në Shtëpinë e Bardhë, Xhon Brenan i bëri këto komente përkundër deklaratës së presidentit të Pakistanit, Asif Ali Zardari, i cili mohoi se Islamabadi e ka strehuar liderin e Al Kaidës.
XS
SM
MD
LG