Ndërlidhjet

FT: Në shkurret e "pranverës arabe"


Sheshi Tahrir në Kajro, 10 shkurt 2011.
Sheshi Tahrir në Kajro, 10 shkurt 2011.
"Financial Times"

Nëse e kalon kohën duke folur me zyrtarë perëndimorë mbi kryengritjen arabe, ka të ngjarë që të dëgjosh dy pikëpamje kundërthënëse - nganjëherë nga i njëjti person.

E para është se “pranvera arabe” është “gjëja më e mirë që i ka ndodhur ndonjëherë botës arabe”. Pikëpamja e dytë është se ky është momenti më i rrezikshëm në dekada për botën arabe.

Të njëjtit njerëz mund t’i besojnë të dyja gjërat në të njëjtën kohë, pasi që kjo është një përplasje e pikëpamjeve afatgjata dhe atyre afatshkurtra.

Në histori, ruajtja e status quo-s në botën arabe as nuk ka qenë e mundur e as e dëshirueshme. Ky ka qenë një rajon i pllakosur nga diktatura dhe varfëria.

Ka qenë pjesa e vetme e botës që nuk ka shënuar përparime domethënëse për demokracinë në 30 vjetët e kaluar, si dhe ka prodhuar prapambeturi dhe ideologji të dhunshme.

Edhe pse askush nuk do të dëshironte të ruante një gjë të tillë, kolapsi i botës arabe kërcënon të prodhojë luftëra, ndarje të shteteve dhe mundësi të reja për militantët islamikë.

Disponimi në Uashington është ngritur pas vrasjes së Osama bin Ladenit në Pakistan. Por, ndërsa hidhet një vështrim në Lindjen e Mesme, politikëbërësit perëndimorë mund të shohin arsye për t’u alarmuar edhe pas kësaj.

Duket absurde që amerikanët dhe evropianët brengosen për destabilizimin e Sirisë. Qeveria e Asadit është një diktaturë brutale, që ka punuar ngushtë me Iranin dhe ka luajtur një rol të rrezikshëm në Liban. I qoftë rruga e mbarë, apo jo?

Të huajt janë të vetëdijshëm se Siria është një shtet fragjil, i ndarë në vija etnike. Një ministër i jashtëm evropian e quajti atë një “Jugosllavi të vogël”.

Bengazi, 23 mars 2011.
Konflikti i Libisë, ndërkohë, kërcënon të degjenerojë në një rrugë qorre. Ka nga ata që argumentojnë se ky është një përfundim i pranueshëm - sigurisht më i mirë sesa rreziku nga masakrat në Bengazi.

Por, tashmë mund të dëgjoni edhe një lloj “brejtjeje të ndërgjegjes” në mesin e zyrtarëve perëndimorë, ndërsa po e kuptojnë se Libia mund të japë goditje me pasoja të paparashikueshme.

Ndryshimet politike në Egjipt hapin mundësi të reja për militantizëm të dhunshëm. Pas rënies së presidentit Hosni Mubarak, shumë ish-terroristë janë liruar nga burgjet dhe ish-xhihadistët janë kthyer në shtet. Shërbimi shtetëror i sigurisë i Egjiptit është në rrëmujë.

Politika e jashtme e Egjiptit po ndryshon në atë formë, e cila duket e papërshtatshme për Perëndimin. Raportet e Egjiptit me Iranin janë afruar. Vëllazëria Myslimane, që duket të jetë partia më e madhe në Parlamentin e Egjiptit, thotë se do të shfuqizojë Traktatin e Paqes me Izraelin.

Qeveria e përkohshme e Egjiptit ka befasuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke negociuar një marrëveshje mes fraksioneve rivale palestineze, Hamasit dhe Fatahut.

Disa nga zyrtarët më të qetë perëndimorë e shohin këtë si një zhvillim pozitiv, meqë nuk mund të ketë marrëveshje të paqes në Lindjen e Mesme, pa një udhëheqje të bashkuar palestineze.

Arabia Saudite, që mbetet në qendër të politikës amerikane për siguri dhe energjetikë, është një shqetësim në rritje. Raportet amerikano-saudite janë përkeqësuar thellë që nga revolucioni i Egjiptit.

Sauditët akuzojnë amerikanët se e kanë tradhtuar Mubarakun dhe tash i shohin SHBA-të si kërcënim të mundshëm për regjimet e tyre. Ata i kanë paralajmëruar amerikanët se mund të kultivojnë një ‘raport special’ me Kinën, që tashmë është blerëse shumë më e madhe e naftës saudite, sesa SHBA-të.

Në plan afatgjatë, shumë qeveri perëndimore janë të bindura se “pranvera arabe” ishte një zhvillim historik dhe pozitiv. Por problemi, siç e thotë Keynes, është: “Në planin afatgjatë, edhe ne të gjithë do të kemi vdekur”. (a.i.)
XS
SM
MD
LG