Ndërlidhjet

Tadiq: Vizita e Stefanoviqit e përmirëson atmosferën


Presidenti i Sebrisë Boris Tadiq, tha se vizita e shefit të ekipit negociator serb në Kosovë, Borko Stefanoviq, mund t’i kontribuojë përmirësimit të atmosferës në dialogun Prishtinë-Beograd.

“Është mirë që Stefanoviq shkon në Prishtinë t’u sqarojë institucioneve të Prishtinës se cilat janë qëllimet e Republikës së Serbisë, të përpiqemi të gjejmë disa qëllime të përbashkëta në tërë procesin e dialogut, i cili nuk është aspak i lehtë”, tha Tadiq, pas takimit me kryeprokurorin e Tribunalit të Hagës, Serzh Bramerc.

Presidenti serb theksoi se Serbisë “i nevoitet progres në temat e caktuara” të bisedimeve, dhe vlerësoi se vizita e nesërme e Stefanoviqit në Prishtinë “mund t’i kontribuojë atmosferës më të mirë”.

Tadiq tha se “është mirë që ndërmjet institucioneve shqiptare në Kosovë dhe shtetit të Serbisë të inicohet një lloj i dialogut, i cili nuk nënkupton se Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës”, por ajo mundëson të zgjidhen problemet e njerëzve në Kosovë.

“Jeta e tyre nuk mund të bllokohet”, tha Tadiq, duke shtuar se Serbia nuk do të heqë dorë nga politika e ruajtjes së integritetit të saj, dhe me asnjë çmim nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Tadiq ka shprehur dëshirën që kapitulli në dialogun Prishtinë-Beograd të mbyllet shumë para tetorit, dhe pastaj edhe para dhjetorit, kur mund të pritet data për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Ky është interesi ynë”, theksoi presidenti serb.

“Gënjehen shumë të gjithë ata që mendojnë se Serbia është e gatshme t’i kapërcejë të ashtuquajturat ‘vija të kuqe’ për statusin e vendit kandidat dhe për të marrë datën e bisedimeve për anëtarësim në BE”, tha Tadiq.

“Ne duam të zgjidhim konfliktin që eksziston në hapësirat e Evropës juglindore. Ne nuk duam të sjellim konflikte të reja në BE, por njëkohësisht nuk mund të shantazhohemi me asgjë kur është fjala për mbrojtjen e interesave tona legjitime kombëtare”, ka thënë Tadiq.
XS
SM
MD
LG