Ndërlidhjet

Qeveria dënon dhunën, Vetëvendosje pritjen që iu bë Stefanoviqit


Qeveria e Republikës së Kosovës e ka dënuar “fuqimisht manifestimin e dhunës ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, me rastin e vizitës së sotme të shefit të delegacionit të Serbisë për dialogun teknik, Borislav Stefanoviq. Kjo vizitë ka ndodhur me leje të qeverisë së Republikës së Kosovës”.

Në një komunikatë për mediat, qeveria vlerëson se “ushtrimi i dhunës ndaj organeve të sigurisë së Republikës së Kosovës, në që rast pati të lënduar, dhe vandalizmi ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, është i papranueshëm” .

“Aktet e tilla tregojnë që ky grupim politik, ashtu si në të kaluarën, nuk heq dorë nga dhuna për realizimin e qëllimeve të ngushta politike”, thuhet në reagimin e qeverisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka siguruar qytetarët e Kosovës se “procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të përfundojë me njohjen reciproke në mes të dyja shteteve dhe integrimin e tyre në BE dhe NATO”.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, ka njoftuar gjithashtu nëpërmjet një komunikate se përmes protestave të sotme, kjo lëvizje ka “rikonfirmuar edhe njëherë kundërshtimin e saj për negociatat e padrejta e të dëmshme, joparimore dhe jotransparente që po zhvillohen në mes të qeverisë së Kosovës dhe asaj së Republikës së Serbisë”.

“Në vend se Borko Stefanoviq dhe shefi i tij, Tadiq, të kërkojnë falje ndaj shqiptarëve për krimet e kryera në Kosovë, në vend se t’i arrestojnë kriminelët që i kanë kryer këto krime, në vend se Kosovës t’ja paguajnë dëmin e shkaktuar gjatë luftës, në vend se familjeve kosovare t’ju tregojnë se ku janë të zhdukurit, dhe në vend se të ndërpresin financimin e strukturave paralele në Kosovë, ata sot në mes të Prishtinës, në prani dhe pritje të qeverisë Thaqi, ripërsëriten qëndrimet e tyre kundër pavarësisë së Kosovës”, thuhet mes tjerash në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
XS
SM
MD
LG