Ndërlidhjet

SHBA vendos sanksione ndaj Sirisë


Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, dhe gjashtë zyrtarëve të lartë të këtij vendi, të cilët “akuzohen për shkelje të të drejtave të njeriut”.

Njoftimi vjen një ditë para se presidenti Barak Obama t’i adresohet popullit në lidhje me kryengritjet në botën arabe.

Në dokumentin e lëshuar nga Departamenti i Shtetit thuhet se Obama ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv “për të rritur presionin mbi Qeverinë siriane, që t’i japë fund përdorimit të dhunës dhe të nisë tranzicionin në një sistem demokratik, i cili siguron të drejta universale për popullin e Sirisë”.

Përveç Asadit, sanksionet godasin nënpresidentin Faruk al-Shara, kryeministrin Adel Safar, ministrin e Brendshëm, Muhamed Ibrahim al-Shar, ministrin e Mbrojtjes, Ali Habib Mahumud, shefin e Inteligjencës ushtarake, Abdul Fatah Kudsia, dhe udhëheqësin e politikave të sigurisë, Muahmed Dib Zaitoun.

Sanksionet bllokojnë çdo pronë të shtatë personave në fjalë në Shtetet e Bashkuara.

Aktivistët thonë se të paktën 800 persona janë vrarë nga forcat e sigurisë, gjatë nëntë javëve protesta në Siri.

Asad citohet të ketë thënë se ushtria ka bërë “gabime” në trajtimin e revoltës, por megjithatë “kriza tani është afër fundit të saj”.
XS
SM
MD
LG