Ndërlidhjet

Topi, diplomatët: Procesi zgjedhor s'ka përfunduar ende


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, diskutoi sot me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Etore Sekui, si dhe me Kreun e Prezencës së OSBE-së, Eugen Volfart, situaten pas nxjerrjes së tabelës së rezultateve për Tiranën, nga Komisioni Qendor i Zgjedhjeve.

Diplomatët thanë në takim se procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar dhe se respektimi i kornizës ligjore është domosdoshmëri, në kushtet e ankesës ndaj rezultatit nga opozita në Kolegjin Zgjedhor.

Presidenti Topi bëri thirrje për vetëpërmbatje nga shpallja e parakohshme e rezultatit mbi procesin zgjedhor, i cili, siç tha ai, nuk ka mbaruar ende.

Në cilësinë edhe të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Topi tha se Kolegji Zgjedhor gëzon mbështetjen e plotë institucionale, për një proces të pavarur, transparent dhe të lirë nga ndërhyrjet politike.
XS
SM
MD
LG