Ndërlidhjet

Sparks: EULEX-i të mos gjykohet në bazë të arrestimeve


Zëvendësshefi i misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, Endrju Sparks, tha se puna e EULEX-it nuk duhet gjykuar në bazë të arrestimeve të personave për krim të organizuar e korrupsion.

Ai theksoi se hetimet për korrupsion dhe krim të organizuar janë duke vazhduar dhe se do të varet nga to, kur rastet e caktuara do të jenë të gatshme të dalin para gjyqit.

“EULEX-i nuk duhet të gjykohet bazuar në atë se sa figura të nivelit të lartë ne arrestojmë apo dënojmë - ky nuk është qëllimi. Qëllimi është të ndihmojmë Kosovën të bëhet vend me sa më pak korrupsion e me sa më shumë respekt për sundimin e ligjit”, u shpreh ai në një konferencë për media, në të cilën u paraqit raporti i punës së gjyqtarëve të EULEX-it për vitin 2010.

Raporti vë në pah se gjatë vitit të shkuar, gjyqtarët evropianë kanë kryer 87 raste, prej të cilave 19 kanë të bëjnë me korrupsion e krim të organizuar.

Dokumenti e cilëson si sfidë për këtë vit punën në gjykatat në veri të Kosovës.

Pavarësisht kritikave në rritje lidhur me zbatimin e mandatit të EULEX-it në veri, Sparks theksoi përkushtimin e misionit për të garantuar sigurimin e ligit atje.

I pyetur nëse misioni do të vazhdojë arrestimet e personave që merren me krim të organizuar dhe korrupsion në veri - pavarësisht protestave të serbëve lokalë ndaj arrestimit të një serbi që dyshohet të jetë i përfshirë në krim të organizuar - Sparks u shpreh:

“Absolutisht”.

Kah mesi i këtij muaji, EULEX-i arrestoi një serb që dyshohet të jetë i përfshirë në krim të organizuar në pjesën veriore të Mitrovicës. Arrestimi i tij thuhet se ka ardhur si rezultat i hetimeve të kryera rreth krimit të organizuar, kontrabandës me karburante, shmangies së tatimit dhe shmangies mashtruese të taksave të importit dhe akcizës.

Përmes protestave që kanë vazhduar edhe gjatë së enjtes, serbët e veriut kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij arrestimi.
XS
SM
MD
LG